Risitë nga skandal dhe kriminalitet i madh në futbollin belg

Lojtarët e klubit Bruges stërviteshin normalisht, por trajneri i tyre mungonte. Ivan Leko, i cili Bruges e solli vitin e kaluar deri tek titulli i kampionit në Belgjikë, ishte nën masa arresti. Ai dyshohet për pastrim parashë ilegale dhe evazion fiskal. Pas marrjes në pyetje kroati u lirua, por hetimet vazhdojnë.

Marketing

Tifozët e mbledhur për të parë stërvitjen, nuk besonin se klubi dhe trajneri i ekipit të tyre janë të përzier në ndonjë skandal. Bruges bën gara edhe në Ligën e Kampionëve, në grup me Borussia Dortmund.

“Për ne Leko është i pafajshëm”, thotë Frederik Van Eenoo nga klubi i tifozëve “The Locals”. Tifozët nuk duan t’u besojnë akuzave, se klubi i tyre është përzier në manipulimin e ndeshjeve. “Ne kemi fituar vitin e kaluar titullin e kampionit dhe këtë do ta dëshmojnë edhe hetimet – do të dëshmohet se titulli ka qenë i pastër”, mendon drejtuesi i klubit të tifozëve.

Arrestime të tjera

Përveç trajnerit të Bruges, nën hetime ndodhen edhe figura tjera të rëndësishme në futbollin belg, në radhë të parë agjentët e lojtarëve Mogi Bayat dhe Dejan Veljkoviq. Ata akuzohen për manipulime me fitimet nga shitja e lojtarëve. Prokurorët besojnë se edhe investorët, të cilët kanë paguar lojtarët me para në dorë, kanë bërë pastrim të parave ilegale. Prokurorja Wenke Roggen foli për “kriminelë të bashkuar”. Ndër të dyshuarit është edhe ish-manaxheri i RSC Anderlecht, Herman van Holsbeeck.

Manipulimet e arbitrave

Hetimet kanë nisur edhe kundër arbitrave belgë, aëntarë të FIFA-s, Sebastien Delferiere dhe Bart Vertenten. Dyshohet se ata kanë manipuluar me vendimet e tyre të paktën dy ndeshje gjatë sezonit të kaluar. Një zëdhënës i FIFA-s tha se ata po i shikojnë me shumë vëmendje zhvillimet në Belgjikë. E gjitha ka filluar pas një ankese të klubit KV Mechelen, i cili vitin e kaluar ra nga liga e parë. Prokuroria beson, se ka pasur manipulime në ndeshjsen e fundit të kampionatit KAS Eupen – Royal Excel Mouscron, të cilën KAS Eupen e ka fituar me rezultat 4:0. Në të dy ekipet ka pasur lojtarë të agjentit Bayat. Dyshohet se me të kanë lidhje edhe arbitrat.

Të mërkurën (10.10) u kontrolluan në Belgjikë 44 shtëpi dhe lokale. Janë konfiskuar kompjuterë, dokumenta dhe dëshmi të tjera. Janë konfiskuar edhe llogari bankare në vlerë prej rreth 8 milionë euro. Ndër të arrestuarit janë edhe dy argjendarë dhe dy gazetarë të gazetës “Het laatste nieuws”. Të prekur nga hetimet janë 16 klube të ligës së parë.

Hetimet në shtatë shtete

Hetimet po zhvillohen jo vetëm në Belgjikë por edhe në shumë vende të tjera – Serbi, Maqedoni, Mal të Zi, Luksemburg dhe Francë. Arrestime ka pasur edhe në Qipro dhe Bosnjë-Hercegovinë. Bayat, me origjinë nga Irani, dhe Veljkoviq nga Serbia, kanë pasur kontate të shumta ndërkombëtare. Lojtarë të transferuar ka pasur nga Evropa Lindore, Ballkani, Afrika dhe Amerika Latine. Trajneri i FC Bruges është me origjinë nga Kroacia.

Liga belge përdoret nga shumë klube si trampolinë për shitjen e lojtarëve në vende të tjera. Atje blihen lojtarë të rinj me perspektivë dhe pas disa vitesh shiten në klube më të mëdha evropiane. Televizioni VRT pohon se deri në 90% e këtyre transferimeve është në duart e agjentit Bayat. Gati të gjitha klubet bashkëpunojnë me të. Lojtarët belgë të lindur në këtë vend janë shumë të rrallë në klubet belge. Ata më të mirët shkojnë në vende të tjera, ndaj nuk është befasi që në kombëtaren e Belgjikës nuk mund të gjesh thuajse asnjë lojtar që luan në ligën belge.

Belgjika e tronditur

Belgjika është e shokuar nga këto zhvillime, shkruajnë shumë gazeta belge. Tifozët e kombëtares janë gëzuar shumë për sukseset e fundit në Kampionatin Botëror në Rusi. Ndërsa tani flitet për një prej skandaleve më të mëdha në Belgjikë. Avokati i trajnerit të Bruges thotë, se hetimet janë bërë me metoda të papranueshme. Tajneri është zgjuar në orën pesë nga forca të mëdha policie, ndërsa gruas së tij i është mbajtur një tytë arme në kokë, fëmijët janë traumatizuar.

Ministri belg i Drejtësisë Koen Geens i ka mbështetur hetimet. Ati shkruan në twitter se “qëllimi është që të kemi një sport të pastër. Drejtësia po punon për një sport të ndershëm.” Prokurorja Wenke Roggen thotë, se hetimet ende janë në fazën fillestare./DW

Marketing