Zëvendësministrja Slavjanka Petrovska, nuk ka nënshkruar vendimin për emërimin e Risto Stavrevskit si kryeshef i Sektorit për Punë të Brendshme në Shkup. Petrovska e konfirmoi këtë për Alsat. Ajo thotë se ka pranuar gjithsej 11 vendime të ministrit por ka nënshkruar vetëm 10 prej tyre, duke skualifikuar Stavrevskin.
Stavrevski nuk është pranuar për shkak se ka qenë këshilltar i ish ministres së Brendshme Gordana Jankullovska dhe dëshmitar për rastin e Prokurorisë Speciale “Tanku”. Propozimi për emërimin e tij ka qenë i ministrit të Brendshëm teknik Naqe Çulev, kuadër i propozuar nga VMRO-DPMNE-ja kurse zëvendësministrja Petrovska, është kuadër i propozuar nga LSDM-ja në Qeverinë teknike. Çulev pritet të propozojë edhe emërime të tjera, për të përmbushur normën e lejuar prej 15 ndryshimeve të kuadrove drejtuese në këtë dikaster.