Ballina Aktuale Ritmi i rrugëtimit të Krasniqit – nga repisti rival i Unikkatilit te...

Ritmi i rrugëtimit të Krasniqit – nga repisti rival i Unikkatilit te politikani opozitar i Kurtit

“Ti s’je ritmi i rrugës, unë jam ritmi i rrugës”, thoshte Unikkatili në fushatën e tij për ta vendosur veten si reperin mbizotërues në Kosovë. E ndiente të nevojshme që t’i hiqte rivalët nga rruga e tij.

Marketing

Një gjë mund të thuhet: kush e shante Unikkatilin i pari, mëtonte famën e tij – kë e shante Unikkatili i pari, në mënyrë indirekte ai e njihte peshën e tyre në skenën e repit kosovar, dhe ndiente se duhej t’i largonte nga rruga. Ndër ta, edhe Ritmin e Rrugës; ndonëse në kohën kur Unikkatili e kishte lansuar këtë sulm, kjo dyshe repi kishte pushuar së qeni aktiv në muzikë. Por Ritmi i Rrugës që përbëhej nga dy djem të edukuar e shkolluar por që për personazhe skenike kishin marrë rolin e dy “gangsterëve” që qenë rexhur nga përvojat e rrugës, tashmë kishin lënë shenjë me këngët e tyre e sidomos me tashmë klasiken “Ushtari i rrugës”, njëfarë ekuivalenti shqiptar i “Parajsa e gangsterëve” të Coolio-s.

Shokët e Krasniqit në estradë e vazhduan zejen e repit, madje duke u pasuruar nga ky zhanër që dikur mezi përvidhej në programet argëtuese në vend. Mirëpo jo edhe Krasniqi. Karriera e tij muzikore iku bashkë me bishtalecin e tij që e spikaste në mesin e artistëve të tjerë, njofton Klankosova.tv.

Ai fillimisht u angazhua në forumin rinor të Partisë Demokratike të Kosovës, e më vonë shërbeu si zëdhënës i Partisë Demokratike të Kosovës.

Ndërkohë, Krasniqi gjatë kohës kur po bënte muzikë ishte po aq i angazhuar për t’u formuar akademikisht dhe intelektualisht sa për t’u ngritur në hierarkinë e partisë por edhe të skenës politike në Kosovë.

Krasniqi kishte punuar edhe gjatë kohës së luftës dhe në periudhën e hershme të pasluftës si gazetar në Associated Press.

Pasi u bë baçelor i Shkencave Politike dhe Administratës Publike në Universitetin e Prishtinës, ai më vonë magjistroi në universitetin prestigjioz, në Shkollën Londineze të Ekonomisë dhe Shkencave Politike.

I biri i Milazim Krasniqit, bashkëthemeluesit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tash është rrugës për t’u bërë kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës. Njëri krah i djathtë i atij që njihet si ati themeltar i shteti të Kosovës, Ibrahim Rugovës, e tjetri pasues në parti i njeriut që kumtoi Pavarësinë e Kosovës, Hashim Thaçit.

Nëse është diçka që përbashkon reperët dhe politikanët janë fjalët – shumësia e tyre, rrjedhshmëria e lidhshmëria që e kanë – aftësia për të pushtuar veshët e dëgjuesve me mënyrën se si formulohen e kumtohen ato.

Pas muzikës, ai në politikë e nisi si zëdhënës, por nuk mbeti vetëm zë. Krasniqi prodhonte mendim e merrte vendim. Prandaj, një herë u emërua Ministër i Kulturës e pastaj i Bujqësisë. Një herë shef i grupit parlamentar të PDK-së e pastaj edhe nënkryetar i Kuvendit të Kosovës. Gjashtë herë u zgjodh deputet.

Babai i tij Milazim Krasniqi ishte bashkëthemelues i Lidhjes Demokratike të Kosovës, por i biri ndoqi një shteg tjetër. Ai u përkujdes të bëhej një nga figurat markante të gjeneratës së dytë të Partisë Demokratike e që sot kur dy ish-kryetarët e kësaj partie ndodhen në Hagë, Krasniqi është ai që po bëhet kryetar nga ajo gjeneratë e re që ish-liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e afruan ngat vetes kur krijuan këtë subjekt politik.

Si rrepist, Krasniqi ishte një prej figurave që vendosën themelet e këtij zhanri në vend, që sot pos botës e dominon edhe Kosovën. Personazhi skenik i tij na shfaqej si streetsmart, por gjatë gjithë asaj kohe Krasniqi në të vërtetë ishte njëri prej booksmart-ëve të rinj të Partisë Demokratike të Kosovës.

Si politikan, ai ka pasur një prezencë të painjorueshme falë edhe pozitave që ia kanë besuar ish-liderët e PDK-së, parti kjo që ishte në pozitë për dymbëdhjetë vjet. Teksa sot, duket se e gjithë partia ia ka dhënë besimin për frerët e kësaj partie që po kalon nëpër një periudhë të vështirë kur Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli po gjykohen në Hagë.

Ritmi i rrugëtimit të Krasniqit në politikë ka qenë i vetë-diktuar me delikatesë dhe me konkretësi. Në sytë e publikut ka qenë i befasishëm – u desh një kohë që publiku të ambientohej me Krasniqin politikan, dhe jo me Krasniqin yll muzike.

Edhe si repist, edhe si politikan, Krasniqi ka dëshmuar që nuk e shmang konfrontimin me rivalët. Se a del fitues, ajo varet. Në zgjedhjet e PDK-së rival nuk duket se ka. Por, tash ka punë me rivalët nga partitë tjera, e sidomos me atë të Lëvizjes Vetëvendosje që njëherësh udhëheq edhe me Kosovën – Albin Kurtin. Unikkatilit i duhej ta sfidonte Krasniqin në muzikë si trashëgimi dhe ndikim. Por ballë Kurtit, është tash Krasniqi ai që duhet, tash në cilësi liderësh, ta sfidojë si opozitë Kurtin.

Exit mobile version