Gazetari Sead Rizvanoviq në profilin e tij në Facebook ka analizuar zhvillimet aktuale në linjën Shkup-Sofje dhe atë se sa ka ndikime të huaja në to. Rizvanoviq konsideron se vizita e Ministrit të Jashtëm Bujar Osmani në Sofje është një tentim për ta parandaluar skenarin që Bullgaria po e krijon për vendin tonë.
“Bullgaria tani mund të bëjë intriga dhe konspiracione, sepse pushteti i shkurtër i Petkov ka përmirësuar dukshëm pozitën ndërkombëtare të vendit. Bullgaria bëri dy lëvizje kyçe që faktorizuan vendin në raport me luftën në Ukrainë. Së pari, në fillim të agresionit rus, qeveria e Petkov-it siguroi fshehurazi sasi të mëdha municionesh për Ukrainën. Vlerësimet janë se në fillim të agresionit rus, 20-30% e municioneve të përdorura nga Ukraina ishte nga Bullgaria. Së dyti, në një mënyrë po aq të qetë, Qeveria Petkov ndërpreu plotësisht furnizimet me gaz rus dhe diversifikoi furnizimet me gaz nga Azerbajxhani. Këto dy gjëra e larguan plotësisht presionin mjaft të fortë amerikan nga Sofja dhe i lejuan bullgarët të merren sërish me “çështjet maqedonase” në mënyrën e tyre të parëndësishme”, shkruan Rizvanoviq.
Sipas gazetarit, tensionet aktuale janë një skenar që shpaloset në faza dhe që është konceptuar dhe zbatuar tërësisht nga fqinji lindor. Synimi i tyre, siç shkruan gazetari, është të nxisin një reagim nga vendi ynë dhe më pas ta përdorin atë reagim si arsye për bllokim.
“Ministri Osmani u përpoq ta stoponte këtë skenar duke shkuar në Sofje, por padyshim që dështoi, sepse Sofia zyrtare vazhdoi të tundte mantelin e kuq para demit të tërbuar. Në konstelacionin aktual të marrëdhënieve, nevojitet një kundërstrategji e mençur për këtë skenar”, ka shkruar Rizvanoviq në postim.