RMV/ Filloi vaksinimi i personelit mjekësor me vaksinën ruse Sputnik

Dozat e para të vaksinave Sputnik u dhanë sot në poliklinikën “Jane Sandanski” në Shkup, dhe jo nëpër shtëpitë e pleqve siç paralajmëroi ministri Filipçe. Procesi i vaksinimit filloi në ora 8.00 ndërsa përpara poliklinikës kishte radhë të gjata të punonjësve shëndetësor të cilët prisnin për imunizim me dozën e parë. Drejtuesit e këtij institucioni shëndetësor thanë për ALSAT se vaksina ruse po aplikohet shumë shpejtë.

Marketing
Deri më tash nuk kemi ndonjë problem. Nga mëngjesi kemi vaksinuar persona nga mosha 27 deri në 68 vjeç. Brenda një ore kemi vaksinuar një autobus të tërë nga Prilepi. Kjo vaksinë është më ndryshe nga Pfizer si për nga paketimi, si për nga mënyra e ruajtjes. Shumë më e thjeshtë për tu përdorë, dhe procesi po rrjedh shumë më shpejtë – deklaroi Bore Radevski, Drejtor i Poliklinikës “Jane Sandanski”.

Disa nga punonjësit shëndetësor të cilët kishin marrë vaksinën thonë se nuk kanë pasur probleme.

Po, u vaksinova. Kalova shkëlqyeshëm, deri më tash gjithçka është në rregull – u shpreh një punonjëse shëndetësore në Klinikën e Gastros.

Organizimi ishte i pa ndërprerë dhe shumë i mirë. I ndoqëm rekomandimet, pas vaksinimit gjysmë ore pushim për shkak të efekteve të padëshiruara, dhe gjithçka shkonte në rregull – tha një tjetër punonjëse shëndetësore në Klinikën e Gastros.

Për momentin jam në Repartin Infektiv, punojmë me Kovid pacientët. Sot kemi ardhur për vaksinim. Kemi caktuar termin që kur ishin lajmërimet për tu paraqitur ndërsa terminin e mora mbrëmë -deklaroi Maja Micevksa, Infermiere në Prilep.

Vaksinimi do të vazhdojë çdo ditë pos së dielës, nga ora 8.00-22.00. Ndërkohë vazhdon të rritet numri i të prekurve nga Kovid. Raporti javor i Institutit të Shëndetit Publik flet për një rritje prej 23% të rasteve të reja krahasuar me një javë më parë, ndërsa rastet më të shumta janë regjistruar në Shkup dhe Negotinë.