Pa 1 numër, shifra e të infektuarve në vendin tonë me koronavirus arrin në 2000. Për 24 orët e fundit nga 258 testet e bëra, 21 prej tyre kanë rezultuar pozitiv me virusin Covid-19. Shkupi shënon 12 raste, Tetova 5, Kumanova 3 dhe Shtipi 1. Ndërkaq, tashmë dy ditë radhazi nuk janë regjistruar viktima si pasoj e virusit. Ministria e Shëndetësisë bënë me dije se Instituti për Shëndet Publik raporton 17 pacientë të shëruar nga koronavirusi edhe atë 7 pacientë nga Shkupi, 2 nga Kumanova, 2 nga Prilepi, 2 nga Velesi, 1 nga Gostivari, 1 nga Kriva Pallanka, 1 nga Pehçeva dhe 1 nga Berova.
Në bazë të rasteve të regjistruara ditëve të fundit, është rritur edhe shifra e rasteve aktive në vend. Momentalisht ajo është 447.
Me numër më të madh të rasteve aktive kulmon qyteti i Shkupit me 204 raste dhe pason Tetova me 82 si dhe Prilepi me 46. Deri tani më shumë pacientë janë shëruar në Kumanovë, pasi në këtë qytet janë identifikuar 436 raste me koronavirus dhe prej tyre raste aktive kanë mbetur 35. Ndërsa është rritur edhe numri i komunave që nuk kanë asnjë rast aktiv. Deri tani janë 15 komuna.
Numri i përgjithshëm i pacientëve të shëruar arrin në 1439 dhe i të vdekurve në 113.
Nga procesi i skriningut nëpër kopshte në 24 orët e fundit janë bërë vetëm 13 teste. Ndërkaq, prej tyre nuk është regjistruar asnjë rast pozitiv me kroonavirus.
Në klinikën për Sëmundje Infektive 20 pacientë janë në ndihmës oksigjeni kurse 3 pacientë janë në ventilim mekanik. Gjithsej janë 54 pacientë të hospitalizuar. Në Klinikën “8 shtatori”, në respirator janë 6 pacientë dhe 6 të tjerë janë me pasqyrë më të rëndë klinike. Gjithsej janë 21 pacientë të hospitalizuar.
Deri tani në vendin tonë janë bërë 25528 teste për Covid-19.