Rreth pesëdhjetë procese gjyqësore për korrupsion të lartë ne tre vitet e ardhshme do të mbikëqyren nga ekspertët e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, me qëllim që të përmirësohet sistemi gjyqësor. Mbikëqyrësit do t’i identifikojnë problemet sistematike në sistemin gjyqësor, të cilat e ulin efikasitetin, por edhe transparencën e proceseve. Ky është projekti i parë i tillë në rajon, që do të shërbejë edhe si test për gjykatësit dhe prokurorët.
Ekpertët e OSBE-së që nga java e kaluar marrin pjesë si mbikëqyrës në seanca të proceseve gjyqësore për krim të organizuar dhe korrupsion të lartë ose të mesëm. Shefi i misionit të OSBE-së në Shkup Klemens Koja tha se projekti i financuar nga instrumenti evropian synon t’i përshpejtojë reformat në sistemin gjyqësor.
Klemens Koja, shef i misionit të OSBE-së
“Ky projekt trevjeçar ka për qëllim ta përmirësojë administratën gjyqësore dhe ta ulë korrupsionin, që llogaritet si bazë për arritjen e ambicieve strategjike të vendit. Monitorimi i proceseve gjyqësore në praktikë ka filluar gjatë javës së kaluar dhe do të vazhdojmë deri në dhjetor të vitit 2023”
Ndërsa, sipas ambasadorit të BE-së në Shkup, Dejvid Gir, përmes monitorimit të rreth 50 lëndëve gjyqësore, autoriteteve vendase dhe rajonale do t’u jepen rekomandime në lidhje me rritjen e efikasitetit në sistemin gjyqësor dhe heqjen dorë nga praktika e gjykimit selektiv dhe keqpërdorimit të institucioneve shtetëror për qëllime private.
Dejvid Gir, ambasador i BE-së
“Nuk bëhet fjalë për mbikëqyrje të rezultatit të rasteve të caktuara ose kritika për gjykatësit që i udhëheqin rastet. Nuk do të ketë përzierje në pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatave, të drejtën për proces fer, mbrojtje ose prezumim të pafajësisë. Monitorimi do t’u përmbahet parimeve të mosndërhyrjes, objektivitetit dhe paanshmërisë”
Republika e Maqedonisë së Veriut vetë ka kërkuar aktivizimin e kësaj iniciative nga BE-ja në kontekst të negociatave të pritshme aderuese.
Bojan Mariçiq, Ministër i Drejtësisë
“Gjithsesi do ta rrisë përgjegjësinë në punën e prokurorëve dhe gjykatësve, do ta përforcojë luftën kundër korrupsionit dhe do ta rrisë besimin e qytetarëve në institucionet dhe në shtetin e tyre. Sinqerisht shpresoj se ky monitorim vërtetë do të ndihmojë që sistemi gjyqësor maqedonas të bëhet evropian”
Sondazhi i Institutit Kombëtar Demokratik para pak kohësh ka sugjeruar se vetëm 3% e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut kanë besim te gjykatësit dhe prokurorët, ndërsa 70% e të anketuarve mendojnë se nuk ka sundim të së drejtës, sepse sistemi gjyqësor është partizuar dhe është bërë selektiv në zbatimin e ligjeve.