RMV/ Të hënën marrëveshja për vaksinat kineze

Qeveria e ka miratuar marrëveshjen për furnizimin e vendit me vaksina anti-Kovid nga Kina. Siç bëri të ditur ministri i shëndetësisë, marrëveshja për 200 mijë vaksina do të nënshkruhet të hënën.

Marketing

Vaksina është e sigurt dhe ka regjim standard të ruajtjes në temperaturë nga 2 deri në 8 gradë, sqaron ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

Ai njëherit paralajmëroi se për të dëshmuar sigurinë e vaksinave, ai do të vaksinohet ndër të parët me vaksinën e parë që do të arrijë në vend, e që sipas të gjitha gjasave do të jetë vaksina kineze.

“Të gjitha vaksinat që janë tani në treg janë të sigurta, i kanë kaluar të gjitha fazat e nevojshme, analizat e zakonshme të ilaçeve dhe vaksinave, studimet e zakonshme klinike etj. Platformat janë të sigurta. Ekspertët tanë të grupit të punës në kontinuitet e kanë ndjekur atë proces. Aplikimi i vaksinës Kovid-19 do të luajë rol kyç në zvogëlimin e efekteve të dëmshme ndaj shëndetit të popullsisë dhe shoqërisë në përgjithësi, përforcimin e imunitetit kolektiv në kushte pandemie. Imunizimi është arma më e fortë në luftën me virusin, jo vetëm tek ne, por gjithkund në botë. Për të dëshmuar se vaksinat janë të sigurta, se nuk duhet të ketë dyshim se qytetarët duhet të jenë të bindur në këto vaksina, do të jenë të sigurta për të gjithë qytetarët, se kanë efekt. Do të vaksinohesha në mesin e të parëve me cilëndo vaksinë që do të arrinte e para në vend, konkretisht edhe me vaksinën kineze.”,- deklaroi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Ai njëherit bëri të ditur se është adaptuar edhe plani nacional për imunizim, sipas të cilit vaksinimi do të nisë me grupet e rrezikuara të ndarë në dy nëngrupe A dhe B. Në grupin A janë punëtorët shëndetësorë që punojnë me Kovid pacientë, shtëpitë e pleqve, institucionet e personave me nevoja të veçanta, mjekët amë, personeli mjekësor në ordinanca, të punësuarit në laboratorët për tentim dhe diagnostifikim dhe punëtorët shëndetësorë në punktet e vaksinimit.

Në grupin e parë B mundësi për vaksinim do të kenë të moshuarit e grupmoshës mbi 70 vjeç, pasi te kjo grupmoshë vdekshmëria nga virusi ka qenë më e lartë.

“Numri i personave mbi 70 vjeç arrin në mbi 170 mijë persona. Pacientët i kemi në sistemin nacional “Termini im”, është bërë kontroll shtesë e diagnozave me të cilat ata janë evidentuar në tre vitet e fundit, ndërsa diagnozat janë caktuar në bazë të rekomandimeve të OBSh-së, ashtu siç rekomandojnë të gjitha organizatat ndërkombëtare, duke i darë në grupe rreth gjendjes klinike dhe gjendjeve tjera që i kanë ata në bazë të konfirmimeve nga klinikat dhe specialistët.”,- tha Zhaklina Çakarovska nga sistemi “Termini im”.

Në fazën e dytë do të vaksinohen personat e moshës mbi 65 vjeç, pastaj personat nga 18 deri në 64 vjeç me gjendje shëndetësore të rrezikut të lartë, punëtorët shëndetësorë nga institutet, qendrat e shëndetit publik, farmacistët, stomatologët dhe personeli tjetër shëndetësor, të punësuarit në institucionet arsimor dhe çerdhe dhe në fazën e tretë pjesa tjetër e qytetarëve.

Regjistrimi për vaksinim do të bëhet nëpërmjet sistemit “Termini im”. Planifikohet të vaksinohen rreth 2500 qytetarë në ditë. Ndërsa nga java e ardhshme do të jetë në funksion edhe ueb-faqja për regjistrim.

Ministri i shëndetësisë njëherit theksoi se vendi mbetet i angazhuar edhe për sigurimin e vaksinave nga kompania “Fajzer” për sasinë e vaksinave nga Serbia dhe marrëveshjen direkte.

Në bazë të dinamikës së arritjes së këtyre vaksinave dhe atyre nga sistemi Kovaks, do të bëhet plan për furnizimin e mëtejmë të vaksinave tjera. Tani për tani nuk parashihet sigurimi i vaksinës ruse.