RMV/ Ulet për 27 për qind numri infektimeve me Covid-19

Për 27,3% ka rënë numri i rasteve pozitivë me Kovid-19 gjatë javës së shkuar, në krahasim me një javë më parë. Raporti javor i Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) tregon se ka rënë edhe numri i testimeve. Nga 30 gusht deri më 5 shtator janë testuar rreth 39.000 materiale laboratorike që është një rënie prej 5,6% krahasuar me një javë më parë.

Marketing

Në periudhën nga data 30 gusht deri më 5 shtator janë regjistruar 4,623 raste pozitive nga 34 qytete të vendit që është 27,3% më pak krahasuar me javën paraprake. Pjesa më e madhe e rasteve pozitive janë në Shkup ndërkaq incidencë më të lartë në 100.000 banorë ka në qytetin e Sveti Nikollës. Të sëmurët janë nga të gjitha grup moshat, megjithatë numri më të madh i të prekurve i përket moshës mbi 60 vjeçare. Numër më të ulët është regjistruar tek mosha nga 0-9 vjeçare – njoftojnë nga Instituti i Shëndetit Publik.

Gjatë periudhës 30 gusht – 5 shtator janë regjistruar 194 viktima në 22 qytete të vendit. 63 prej tyre në Shkup, 33 në Tetovë, 19 Gostivar dhe 13 në Kumanovë. Numri më i lartë i viktimave janë mbi 70 vjeç. Ndërkohë nga Spitali i Tetovës njoftojnë se pas më shumë se 3 javësh për herë të parë nuk është regjistruar asnjë viktimë brenda 24 orësh.

Për herë të parë, pas më shumë se 3 javëve nuk kemi pacient që ka ndërruar jetë në mesin e personave të hospitalizuar. Ndërkohë kemi 9 persona të ri të pranuar për kurim, derisa 13 të tjerë janë lëshuar në shtëpi. Për momentin kemi 84 persona të hospitalizuar, 82 prej të cilëve janë në oksigjeno-terapi – deklaroi Miranda Pajaziti, mjeke në Spitalin e Tetovës.

Ndërkohë vazhdon procesi i vaksinimit. Gjatë ditës së djeshme janë vaksinuar 14,159 qytetarë, prej të cilëve 3,621 me dozën e parë. Gjithsej deri më sot me dy doza janë vaksinuar rreth 570.000 qytetarë apo 34% e popullatës.
Autoritete shëndetësore në vend bëjnë apel për vaksinim, si mënyra më efikase e mbrojtjes nga format më të rënda të sëmundjes si dhe vdekja. Në vend ka sasi të mjaftueshme vaksinash, në dispozicion për qytetarët janë vaksina Astra&Zeneca, Pfizer dhe Sinovak.