Inspektorati shtetëror i tregut (ISHT) gjatë ditës së djeshme ka kryer gjithsej 524 kontrolle dhe 26 mbikëqyrje në objektet hotelierike në disa qytete në shtet. Kontrollet janë kryer në bazë të respektimit të objekteve të protokolleve të përshkruara shëndetësore dhe kohës së caktuar të punës.
“Janë konfirmuar parregullsi në katër objekte hotelierike, të cilat i kanë shkelur protokollet. Më saktë, në tre objekte në Shkup dhe një në Manastir, për çka ISHT-ja do të ngrit padi penale. Po ashtu, janë hasur edhe dy objekte të paregjistruara në Manastir dhe në Dibër, dhe një objekt në Shkup, që nuk e ka respektuar kohën e caktuar të punës, për çka do të ngritet procedurë penale. Njëheri janë shqiptuar edhe dy masa për shkelje sipas Ligjit për hotelieri në Dibër dhe Shkup”, informojnë nga kabineti i zëvendës kryetarit të Qeverisë, të obliguar për luftë kundër korrupsionit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe resurseve njerëzore, Lupço Nikollovski.
Veçmas nëpër qytete, në Shkup janë kryer shtatë mbikëqyrje, 230 kontrolle, me ç’rast ISHT ka ngritur tre padi penale, një kundërvajtje dhe një masë të edukimit (shkelje sipas Ligjit për veprimtari hotelierike). Në Manastir ISHT ka kryer dy mbikëqyrje, 15 kontrolle dhe ka ngritur një padi penale. Në Dibër janë kryer shtatë mbikëqyrje dhe u shqiptua një masë për shkelje sipas Ligjit për hotelieri.
“Duke marrë parasysh se prej sot e deri të hënën, 12 tetor, zgjat fundjava pa TVSH, shërbimet inspektuse të ISHT-së gjatë ditës së sotme dhe ditëve të ardhshme janë vazhdimisht në terren dhe zbatojnë kontrolle intensive, jo vetëm në pjesën e respektimit të protokolleve shëndetësore për Kovid-19, por edhe në pjesën e asaj nëse çmimet e prodhimeve të vendosura në librat tregtare të tregtarëve, përputhen me çmimet e cekura në prodhimet, me qëllim që të pengohen manipulime me çmimet e prodhimeve”, thuhet në kumtesë.