Ministria e Shëndetësisë informon se sot ministri Venko Filipçe dhe Dekania e Fakultetit të Mjekësisë në Shkup Sonja Topuzovska, realizuan takim me studentë nga viti i gjashtë i mjekësisë së përgjithshme.
Siç thonë nga MSH, në këtë takim është diskutuar për përfshirjen e studentëve, mjekëve të ardhshëm në procesin e trajtimit të koronavirusit.
“Në kushtet kur po përballemi me krizën më të madhe botërore të shëndetit, studentët e mjekësisë, e ardhmja e shëndetit tonë, janë të përfshirë në mënyrë aktive në mbështetjen e kolegëve të tyre. Studentët janë unanimë se ata dëshirojnë dhe mund të ndihmojnë në periudhën e ardhshme. Angazhimi i tyre do të jetë ndihma për kolegët epidemiologë në komunikimin telefonik me pacientët, përgatitjen e sondazheve epidemiologjike dhe përpunimin e të dhënave”, ka thënë Filipçe pas takimit, duke shtuar se studentët nuk do të kenë kontakt fizik me pacientë të sëmurë ose të dyshuar për COVID-19.
Angazhimi i studentëve do të zgjasë gjashtë muaj dhe do të ndahet në tre faza. Çdo dy muaj, 50 studentë të rinj do të punësohen në Qendrat e Shëndetit Publik.
“Përfshirja e studentëve të mjekësisë në luftën kundër COVID-19 është një ndihmë e drejtpërdrejtë për profesionistët e kujdesit shëndetësor dhe sistemin e kujdesit shëndetësor, i cili mbart barrën më të madhe në këtë krizë. Një përfitim shtesë është që studentët, përveç që të fitojnë përvojë, përmes këtij angazhimi do të realizojnë praktikën klinike në shëndetin publik që ata duhet ta kryejnë në vitin e gjashtë të studimeve”, mjekja Sonja Topuzovska, Dekane e Fakultetit të Mjekësisë në Shkup.
Nga MSH thonë se koordinimi dhe shpërndarja e grupeve është në rrjedhë, ndërsa angazhimi i studentëve do të fillojë sa më shpejt që të jetë e mundur.