Robertson: Përparimi i Maqedonisë i referohet lidershipit të guximshëm dhe reformave të suksesshme

Përparimi i Maqedonisë nuk do të ishte i mundur nëse nuk do të ishte lidershipi i guximshëm dhe realizimi i suksesshëm i reformave, porositën sot përfaqësuesit e Grupit të Ohrit, miqtë dhe mbështetësit e vendit tonë, të kryesuar nga sër Xhorxh Robertson në takimin me kryeministrin Zoran Zaev në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor në Londër.

Marketing

Siç kumtoi shërbimi qeveritar për shtyp, ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Lordi Robertson, në takime informoi se të gjithë anëtarët e gripit Ohri dhe miqtë e Maqedonisë e kanë mbështetur letrën e cila në emër të grupit u është dërguar shefave të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të BE-së dhe të NATO-s, për vendimin pozitiv të Këshillit të Evropës dhe për aktivizimin e paralajmëruar të ftesës për anëtarësim në NATO.

Gjatë takimeve, diplomatët dhe politikanët me përvojë, përfaqësues të disa organizatave ndërkombëtare, e cekën përparimin e jashtëzakonshëm të Maqedonisë dhe e theksuan rëndësinë historike për marrëveshjen e arritur me Greqinë e cila i hapi dyert për anëtarësim në NATO dhe datën për negociata me BE-në.

Kryeministri Zaev i njoftoi anëtarët e Grupit të Ohrit me hapat që paraprijnë gjatë implementimit të marrëveshjes, ndërkaq posaçërisht për referendumin në të cilin qytetarët duhet ta thonë fjalën e fundit dhe zgjedhjen për të ardhmen e vendit që e garanton anëtarësimi në NATO dhe fillimi i negociatave me Bashkimin Evropian.

Bashkëbiseduesit në takimet e punës u dakorduan se është me rëndësi tejet të madhe që shumica e qytetarëve e mbështesin anëtarësimin në BE dhe në NATO dhe se ky është argument për pritje optimiste për epilogun e referendumit.

Në takimet e punës me kryeministrin Zaev dhe me disa nga delegacioni qeveritar, përfaqësuesit e Grupit të Ohrit cekën se edhe më tutje mbeten të përkushtuar në mbështetjen për Republikën e Maqedonisë dhe potencuan se para vendit është gjasa e vetme për stabilizim të përhershëm dhe për realizim të qëllimeve strategjike, anëtarësimi në BE dhe në NATO, të cilat garantojnë përparim ekonomik dhe institucione demokratike.