Vdekshmëria e foshnjave tek popullata rome është për 1,5 herë më e lartë krahasuar me përkatësitë e tjetra etnike në vend. 34% e grave rome asnjëherë nuk kanë qenë në vizitë të gjinekologu, ndërkaq 37% e tyre nuk kanë aspak gjinekolog amë. Shoqatat për mbrojtjen e të drejtave të grave rome alarmojnë për moskujdes institucional ndaj kësaj popullate. Akuzojnë se autoritetet shëndetësore nuk janë të përkushtuar për përmirësimin e kushteve për mbrojtje shëndetësore. Punësimi i një gjinekologu në Komunën e Shuto Orizares nuk ka zgjidhur problemin, thonë ato duke kërkuar punësim edhe të një mjeku tjetër sepse numri i grave si dhe shtatzënive është shumë i lartë. Në komunën e Shutkës për momentin janë të angazhuar 2 infermiere patronazhi, që sipas popullatës atje është e pamjaftueshme për të mbuluar nevojat e tyre.
Praktikisht ne që nga viti 2012 kërkojmë punësimin e motrave që janë në patronazh. Për momentin janë vetëm dy në gjithë atë komunë të madhe dhe me numër aq të lartë të lindjeve. Por për fat të keq deri më tash nuk ka punësime të infermiereve që janë në patronazh. Ne kërkojmë çdo vit, ja dhe këtë vit do të dërgojmë kërkesë deri te ministri”- theksoi Borjan Pavlovski, Shoqata ESSE
Pos mungesës së gjinekologëve shoqatat për mbrojtjen e romëve poashtu alarmojnë edhe për probleme të tjera. Qindra fëmijë rom nuk ndjekin procesin mësimor pavarësisht se figurojnë në regjistër. Si pasojë ata mbeten jashtë kontrolleve sistematike mjekësore, si dhe nuk pranojnë rregullisht vaksinat.
Në bazë të hulumtimeve tona në dy shkollat që gravitojnë në komunën tonë “ Braqa Ramiz” dhe “26 Korriku” 450 fëmijë figurojnë si të regjistruar në shkollë mirëpo nuk ndjekin mësimin rregullisht. Për këto fëmijë nuk kemi informata a janë të përfshirë në kontrollin sistematik, se a janë të vaksinuar. Të dhënat që i kemi marrë nga Shtëpia e Shëndetit janë se vetëm 40 fëmijë janë të përfshirë në imunizim ndërsa të tjerët duhet t’i detektojnë”.- tha Fadil Xhemail, Shoqatës “Romano Cacipe”
Si shqetësuese, sektori civil nënvizon edhe pagesën joligjore për shërbime shëndetësore vetëm për faktin se janë romë. Sipas tyre, problemi do të gjente zgjidhje nëse do të organizoheshin programe edukative për informimin dhe emancipimin e tyre, të cilat do t’i njoftojnë ato me të drejtat që iu garantohen.