Cristiano Ronaldo ishte një nga më të mirët dje gjatë ndeshjes që Juventusi barazoi 3-3 ndaj Parmës. Edhe pse shënoi dy gola Ronaldo nuk vlejti për të sjellë më shumë se një pikë.
Cristiano Ronaldo tashmë është golashënuesi i Serisë A me 17 gola, ndërsa me fanellën bardhezi ai ka realizuar 19 gola në të gjitha kompetincionet. Por portugezi nuk ngopet dhe premton që të bëjë edhe më shumë në vazhdim.
“Ky barazim me Parmën është nga ata që të bëjnë të qeshësh nga nervozizmi, sepse futbolli është edhe i këtillë. Më vjen keq sepse pretendoja që dy golat e mi të kishin më shumë vlerë sesa vetëm një barazim, por rivalët tanë pritën, ishin në vendin e duhur duke korrur gabimet tona dhe në fund morën një pikë, që jam i sigurt që as ata nuk e prisnin, me gjithë respektin për Parmën… E vërteta është që këtë ndeshje e hodhëm vetë në erë. Ndoshta në disa situata u vetëkënaqëm më shumë seç duhet dhe harruam se përveçse për të sulmuar, edhe duhet të mbronim.
Gjithsesi, unë nuk mendoj se ka vend për shqetësim. Përkundrazi, këto janë momente që duhen kaluar, madje më mirë tani sesa kur gjërat të nisin të bëhen serioze. Ju garantoj se nuk ka vend për panik, pasi kemi besim të plotë te cilësitë tona, te skuadra në tërësi, te forca teknike që kemi, te trajneri, stafi teknik dhe te gjithçka që na rrethon. Thjesht duhet të qëndrojmë të qetë dhe të vazhdojmë të punojmë, shprehet Ronaldo, i cili në lidhje me formën personale nënvizon: – Disa vështirësi fizike? Atletikisht kam qenë pak në vështirësi mes ndeshjeve me Lacion dhe me Atalantën. E vërteta është që nuk jam ende në formën time maksimale, por shpejt do ta shihni atë. Dhe jo vetëm timen, por të të gjithë skuadrës. Kemi marrë një ngarkesë fizike të madhe në muajin janar dhe tashmë po nisim ta shpërndajmë në të gjithë muskujt atë. Shumë shpejt do shihni Ronaldon dhe Juven e vërtetë”, përfundoi ylli portugez.