Bashkimi Evropian duhet t’i përmbush premtimet e dhëna ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, thotë ministri shtetëror për Evropën në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Mihael Rot lidhur me vlerësimin e djeshëm të Komisionit Evropian se Maqedonia Veriore dhe Shqipëria i kanë plotësuar kushtet për fillimin e negociatave për anëtarësim në Union
“Në Maqedoninë Veriore dhe Shqipëri është bërë progres i konsiderueshëm. Tani është radha e BE-së. Ne duhet të qëndrojmë në fjalë dhe t’i plotësojmë premtimet tona”, shkruan Rot për “Frankfunter algemajne cajtung”.
Kundrejt qëndrimit të tillë të Rotit, gazeta gjermane përkujton deklaratën e deputetit të CDU-së në pushtet Ginter Krihbaum se vendimi për fillimin e negociatave vështirë do të sillet para tetorit, sepse rekomandimi duhet të kalojë në Bundestagun gjerman dhe parlamentet e 28 vendeve të BE-së, ndërsa për këtë, siç thotë, duhet kohë.
Eurodeputeti nga CDU-ja gjermane, Elmar Brok, megjithatë, për MIA-n dje deklaroi se negociatat për anëtarësim në BE me Maqedoninë Veriore duhet të fillojnë pa u shtyrë. Brok, megjithatë e pranoi se vendimi përfundimtar të cilin duhet ta sjellin vendet anëtare të Unionit mund të shtyhet për ndonjë muaj.
“Qeveritë kanë punë të tjera për shkak situatës në cilën gjendet BE-ja, nuk mundem të them saktë nëse do të jenë në qershor apo shtator, por duhet të fillojmë negociata me Maqedoninë Veriore, tani kur kontesti meemrin është zgjidhur”, deklaroi Brok.
Komisioni Evropian dje ka dhënë rekomandim pa kusht për fillimin e negociatave me Shkupin dhe Tiranën. Eurokomisari Johanes Han dhe përfaqësuesja e lartë Federika Mogerini thanë se të dy vendet e kanë përmbushur pjesën e tyre të punës dhe se tani e ka radhën BE-ja.
Pritet që vendimi përfundimtar për fillimin e negociatave të dihet pas takimit të Këshillit të BE-së më 18 qershor në Luksemburg.