Rrëfehet Reja: “Dua të punoj si shqiptar”

Triumfi 4-2 ndaj Islandës, riktheu entuziazmin tek ekipi Kombëtar. Për këtë meritë ka padyshim edhe trajneri Edi Reja. Italiani ishte arkitekti i përballjes emocionuese ndaj islandezëve, që ndezi “zjarrin” e kualifikimit.

Marketing

Në një prononcim për “TV Klan”, italiani shprehet i kënaqur me lojtarët që sipas tij e shpërblyen besimin e dhënë. Ai thekson se dëshiron të vazhdojë edhe dy vite të tjera te Shqipëria, duke kërkuar që të punoj si shqiptar.

“Intensive, e vështirë dhe mendoja se e humba se kur bënë 2-2! E pashë skuadrën që u shpërnda dhe ata filluan të sulmonin për 10 minuta dhe disa prej lojtarëve, Dermaku, Gjimshiti, Hysaj më kërkuan të ndërroheshin sepse kishin dhimbje në këmbë dhe aty e pashë të vështirë. Pastaj pati një reagim të jashtëzakonshëm të lojtarëve dhe morëm lojën në dorë. Fituam këtë ndeshje të rëndësishme dhe tani kemi shpresë dhe do ta luajmë deri në fund. Nëse nuk do kishim fituar do ishim jashtë loje”, e nisi prononcimin e tij Reja.

Por cila është Shqipëria e vërtetë sipas trajnerit, ajo ndaj Francës apo ajo ndaj Islandës?

“Ajo me Francën jo në konsideratë. Unë e kisha programuar këtë formacion dhe e dija se do vinim në vështirësi Islandën. Sepse është një skuadër e fortë fizikisht. Kështu dhe unë duhet të bëja një formacion të fortë në mbrojtje dhe nga ana tjetër futa Manajn dhe Cikalleshin, që janë të fortë në sulm. Por që shërbejnë edhe në fazë mbrojtëse”.

“Finalja” ndaj Turqisë…

Duhet të vazhdojmë në këtë mënyrë. Kemi gjetur disa siguri. Ndaj Turqisë duhet të jemi perfektë. Kemi bërë gabime të vogla dhe na kanë kushtuar gola. Në Turqi duhet të shkojmë me bindjen se jeni skuadër e fortë pasi Turqia ka lojtarë me cilësi dhe do të jetë i vështirë edhe ambienti që do jetë shumë i nxehtë. Por kemi lojtarë ekspertë dhe s’do e ndjejnë presionin e tifozëve. Sa i takon gabimeve, i kam nxjerrë të gjitha dhe kur të rikthehemi do ua tregoj lojtarëve dhe do stërvitemi t’i përmirësojmë. Por veçanërisht na duhet përqëndrimi. Skuadra duhet të jetë gjithnjë e ekuilibruar pavarësisht rezultatit dhe nuk më pëlqejnë aksionet individuale. Duhet të futemi në fushë të luajmë si skuadër”.

Shanset për kualifikim…

“Kemi humbur disa pikë, si me Turqinë dhe me Islandën. Me Turqinë duhet të ishte ndeshje direkte. Të mos flasim për Francën. Me të tjerat duhet të përballemi fort. Nuk është thënë ende fjala e fundit nga pikëpamja matematikore, dhe atë fije shprese do e mbajmë fort dhe do bëjmë gjithçka për t’ia dalë. Në ndeshjen e fundit ishte e vështirë, por bëmë 4 gola. Skuadra tregoi zemër dhe inteligjencë deri në fund”.

Dëshira për të qëndruar në krye të Kombëtares shqiptare…

“Kudo ku kam punuar kam kërkuar lojë skuadre. Unë dua të punoj sikur të jem shqiptar sepse kjo Kombëtare meriton shumë. Duhet t’i shpërblejmë shqiptarët. Unë jam ai që duhet t’i them skuadrës që duhet të japim maksimumin. Për shembull, kur jemi duke sulmuar, ka 2 ose 3 lojtarë në zonë për të shfrytëzuar rastin, për të shënuar. Jo vetëm lojë mbrojtëse. Unë mendoj se tre mbrojtësit janë regjisorët e lojës sepse nga aty nis aksioni. Po fillojmë të punojmë mirë.

Skuadra po punon mirë dhe lojtarët po e kuptojnë lojën dhe filozofinë. Mbi të gjitha edhe në stafin tim Bulku dhe Salihi janë shumë të rëndësishëm për mua sepse më kanë ndihmuar shumë. S’kam bërë kontrata të gjata. Nëse do jetë mundësia të vazhdoj dhe presidenti do jetë i kënaqur me punën dhe unë ndihem i vlerësuar, në nëntor do flasim dhe të shohim nëse do biem dakord, unë do të doja të vazhdoja edhe për dy vite të tjera sepse po shikoj shumë lojtarë të rinj nëpër Europë që janë për perpsektivën sepse Kombëtarja është një punë që kërkon vazhdimësi dhe Armand Duka është një njeri kërkues dhe i besueshëm në këtë pikëpamje”, u shpreh Reja për “TV Klan”.

Marketing