Rrëfim ekskluziv nga komandant Hoxha: Si filloi aktiviteti i UÇK-së Kombëtare në Tanushë

Xhezair Shaqiri – i njohur si komandant Hoxha – ka ndarë një copëz historie të panjohur më parë, që ndërlidhet me fillesat e aktivitetit të UÇK-së në Maqedoni, përkatësisht në zonën e Tanushës, në nëntor të vitit 1999, vetëm pak muaj pas përfundimit të luftës në Kosovë, përcjell INA.

“Nuk ishim ndër të parët, por ishim të parët që dolëm në terren,” shkruan Hoxha, duke përmendur bashkë me të edhe luftëtarin Naim Limani (Kingji), si dy nga figurat kyçe që nisën angazhimin kombëtar në këtë fazë të re.

Ai përmend me emra grupin e parë të të angazhuarve: Selman Azemi, Emrush Veliu, Ekrem Nuredini, Xhemail Selimi – si dhe grupin e Drenicës dhe të Dugagjinit nga Maqedonia – përfshirë Miftar Islamin, Zimri Ismajlin, Basri e Emin Shaqirin, Bekim dhe Ekrem Dardhishtën, Ejup Halimin, Zajki Debelldën, Hajdin e Ismet Ilazin, Badi Demirin, Afrim Ramadanin nga Slupçani e shumë të tjerë nga Tanusha, Breza e Malina.

Sipas tij, të gjitha këto zhvillime kishin si pikënisje një shtëpi historike në Tanushë – kullën e Bajram Shaqirit – ku kishin lindur edhe babai dhe xhaxhallarët e tij. Kjo kullë kishte shërbyer si strehë për figura historike si Idriz Seferi, para Betejës së Kaçanikut më 1912, dhe Xhel Guri, i cili për 1.5 vjet kishte mbajtur aty gruan dhe fëmijët për t’i mbrojtur nga persekutimi.

“Pikërisht në këtë shtëpi u mor vendimi që UÇK-ja të dalë në skenë dhe të nisë pozicionimin përballë forcave maqedonase, gjë që shënoi fillimin e konfliktit të vitit 2001,” thekson komandant Hoxha.

Ai përmend edhe qëndrimin në këtë kullë të dëshmorit Qemal Shaqiri, për disa muaj para shpërthimit të luftës.

“Nuk dinë t’jua përshkruajnë këtë histori ata që dolën pas luftës – apo ata që flasin nga Prizreni,” përfundon ai me një mesazh të qartë për të ruajtur të vërtetën historike nga dëshmitarët e drejtpërdrejtë.(INA)

Marketing