Rrëfimi i çiftit që solli vaksinën kundër koronavirusit

Rrëfimi i vaksinës së parë COVID-19 të autorizuar nga Perëndimi, filloi 30 vjet më parë në Gjermaninë rurale kur dy doktorë të rinj, fëmijë imigrantësh turq dhe rishtazi të dashuruar, u betuan që ta shpikin një trajtim të ri kundër kancerit, shkruan The Ëall Street Journal, përcjell Klan Kosova.

Marketing

U janë dashur dhjetë muaj kompanisë BioNTech SE nga Gjermania dhe partnerit të saj amerikan, Pfizer Inc. që ta sjellin vaksinën e cila u aprovua për përdorim emergjent në Mbretërinë e Bashkuar të mërkurën – duke e thyer rekordin për një vaksinë për më shumë se tre vjet.

Mirëpo për themeluesit e kësaj vaksine, çiftin Sahin-Tureci, kjo vaksinë ishte rezultat i një pune tre dekadëshe që kishte nisur shumë kohë para se koronavirusi të shfaqej për herë të parë vitin e kaluar.

Kur pllakosi pandemia, Doktor Sahin tashmë kishte kaluar vite duke e studiuar mRNA-në, instruksionet gjenetike që mund të përcillen në trup në mënyrë që ta ndihmojnë trupin që ta mbrojë veten kundër viruseve apo kërcënimeve të tjera.

Në janar, ditë pasi sëmundja ishte diagnostifikuar në Evropë, ai e kishte përdorur këtë dije për ta dizajnuar një version të vaksinës në kompjuterin e tij në shtypu.

Doktor Sahin-i kishte lindur në Iskenderum, në bregun mesdhetar të Turqisë, më 1965. Ai ishte shpërngulur në Gjermani katër vjet më pas kur babai i tij ishte rekrutuar të punojë në një fabrikë të Fordit afër Kolnit, si pjesë e politikave për rindërtimin e Gjermanisë së pasluftës me punëtorë të huaj.

Babai i doktor Tureci-t, kirurg, kishte ardhur në Gjermani në një kohë përafërsisht të njëjtë, për të punuar në një spital katolik në qytetin e vogël të Lastrupit, ku ajo ishte rritur e frymëzuar nga murgeshat që kujdeseshin për pacientët e babait të saj. Pasi e kishte konsideruar mundësinë që vetë të bëhej murgeshë, ajo përfundoi duke i ndjekur hapat e të atit.

Doktor Sahin dhe Doktor Tureci thonë që kishte qenë frustrimi i tyre me mungesën e opsioneve për pacientët me kancer, për të cilët kimioterapia reshtte së funksionuari, ajo që i kishte shtyrë që të punonin me mRNA-në.

“Kuptuam që me terapinë standarde ne shpejt nuk do të kishim se çfarë t’iu ofronim pacientëve”, ka thënë Tureci për kohën kur ishin takuar me Sahin-in në spitalin universitar të Homburg-ut.

“Ishte një përvojë mjaft formuese”.

Sahin dhe Tureci i kishin shkruar temat e doktoraturës në terapi eksperimentale. Christoph Huber, atëbotë në krye të departamentit të hematologjisë dhe onkologjisë në Universitetin “Johannes-Gutenberg” të Mainz-it, dhe tani drejtor joekzekutiv i BioNTech, kishte insistuar që ata t’i bashkohen fakultetit të tij. Aty filluan që të hulumtojnë për trajtime të reja përmes programimit të sistemit të imunitetit të trupit në mposhtjen e kancerit si të ishte sëmundje infektive.

Më 2001, çifti themeloi kompaninë e parë, Ganymed Pharmaceuticals GmbH, për ta zhvilluar një trajtim antitrupor. Tureci shërbente si shefe ekzekutive, ndërkaq Sahin ishte në krye të hulumtimit.

“Motivi ishte…që ta mbyllim hapësirën nga shkenca në mbijetesë: në hulumtimet tona pamë ato zgjidhje që nuk mund t’i sillnim në shtratin e pacientëve tanë”, thotë Tureci.

Një ditë më 2002, Sahin dhe Tureci lanë laboratorin e tyre rreth drekës dhe shkuan për në zyrën e regjistrimit, ku u martuan para se t’i vishnin prapë rrobat e laboratorit dhe të ktheheshin në punë.

Përkrahësit më të hershëm të tyre ishin Andreas dhe Thomas Strungmann, dy vëllezër binjakë dhe investitorë miliarderë të cilët kanë derdhur më shumë se 200 milionë euro, ekuivalent me 241 milionë sosh, në ndërmarrjet e këtij çifti.

“Ugur është vizionari që na e tregon të ardhmen, dhe Ozlem pastaj na tregon se si të arrijmë aty”, thotë kryetari mbikëqyrës i Bortit të BioNTech, Helmut Jeggle, njëherësh edhe menaxher i zyrës familjare të Strungmann. Vëllezërit, ai thotë, ishin tël lumtur që u dhanë hapësirë të gjerë strategjikë dy doktorëve.

Më 2008, Doktor Sahin dhe Doktor Tureci themeluan kompaninë BioNTech, që ta zgjerojnë hulumtimin nga trajtimet me antitrupa në mRNA. Qëkur Ganymed ishte shitur për 1.4 miliardë dollarë më 2016, çifti kishte riinvestuar në të ardhurat në nismën e tyre të radhës, BioNTech është përqendrimi i tyre i vetëm.

Të gjithë drejtorët ekzekutivë në BioNTech janë shkencëtarë, përfshirë edhe shefat e financave dhe shitjeve. Shefi ekzekutiv vijon të shërbejë si profesor në universitetin lokal, ku trajnon kandidatët e doktoraturës, e nganjëherë ua vë syrin edhe t’i rekrutojë.

Kur flet për punën e tij, Sahin, që bart një hajmali turke rreth qafës që njihet si nazar, shpesh përdor dërrasën e zezë për t’i skicuar formulat e tij.

Ekipi BioNTech, gjysma e tij gra, përfshin shkencëtarë prej 60 nacionaliteteve, mes tyre edhe autoritete në fushën e mRNA-së, si Katalin Kariko, një profesor i biokimisë në Universitetin e Shkollës Mjekësore të Pensilvanisë.

“Shumica e bioteknologëve janë shitës, por Ugur është një shkencëtar që më bindi sepse shkenca është e mirë këtu”, thotë Kariko, i cili është hungarez.

“Nuk ka një model për produktet tona, askush s’i ka bërë më parë”.

Të shtunën e 25 janarit, pasi kishte lexuar një studim për të cilin thotë se e kishte bindur që kjo sëmundje e mistershme në Kinë shpejt do ta përfshinte globin, Sahin iu përvesh punës në kompjuterin e tij, duke dizajnuar shabllone për dhjetë vaksina të mundshme të koronavirusit, njëra prej të cilave ishte edhe BNT162b2, vaksinë kjo që u autorizua të mërkurën në Mbretërinë e Bashkuar.

Më vonë gjatë ditës, ai i tha Jeggle-t që BioNTech do të rifokusohej në punën e vet për ta luftuar një virus që ende nuk kishte emër dhe që nuk ishte diagnostifikuar ende në Evropë.

“Thënë më së paku, isha i befasuar”, thotë Jeggle i cili punon me Sahin-in që nga viti 2001.

“Ne nuk kishim shumë kapital të lirë, dhe ishim mbështetur për muri me hulumtimet tona mbi kancerin”.

Doktor Sahin përmendi gripin e Hong-Kongut në vitet 1968-1969 që kishte marrë jetën e katër milionë njerëzve. Pas dy orësh, Jeggle pranoi.

Ditën tjetër, Sahin riorganizoi stafin e tij në turne shtatëditore, duke kërkuar nga punëtorët kryesorë që t’i anulonin pushimet dhe të mos e përdornin transportin publik. Lightspeed Project, si e kishte emëruar, do ta sillte vaksinën në çështje muajsh dhe jo vitesh, dhe kështu rodhi e ndodhi.

Në shkurt, Dr. Sahin po vëzhgonte efektin e jab në mikroskop. Ai shkrepi një fotografi me dy punëtorë që ishin të pranishëm. “Mendoj që kjo është lindja e kandidatit të vaksinës tonë”, kishte deklaruar ai.

BioNTech kishte qenë duke punuar me Pfizer për ta zhvilluar vaksinën e gripit bazuar në teknologjinë mRNA. Andaj kur doktor Sahin kishte nevojë për një partner për të organizuar testime klinike në mbarë kontinentet, ta prodhonte globalisht dhe të ndihmonte në shpërndarjen e vaksinës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropë, ai e dinte se te kush të drejtohej. Në mars, dy kompanitë nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi, dhe në prill filluan testimet e para në njerëz.

Më vonë, BioNTech mori një kompani amerikane dhe një fabrikë të madhe farmaceutike në Gjermanië në mënyrë që ta rriste prodhimin që priste autorizimin – një qasje me rrezikshmëri të lartë në rast dështimi.

Morgan Stanley vlerësoi se vaksina mund t’u sillte Pfizer-it dhe BioNTech-ut të ardhura prej 13 miliardë dollarësh. Krejt të ardhurat do të riinvestohen, thotë Dr. Sahin. Fokusi i tij kryesor nuk ka ndryshuar: që të sjellë në treg trajtime të kancerit me bazë mRNA-në apo trajtime të tjera inovative të kësaj sëmundjeje, 11 prej të cilave janë në testime klinike.

Shumë shkencëtarë janë skeptikë se a mund të bëhet një gjë e tillë. Thomas C. Roberts, një shkencëtar i lartë postdoktoral nga Universiteti i Oksfordit i cili specializon në mRNA, thotë që rezultatet e vaksinës ishin ngazëllyese, por aplikimi i mRNA-së përtej saj do të përballej me sfida kyçe.

Por në Mainz, Doktor Sahin nuk pajtohet, duke thënë që autorizimi i vaksinës do ta vërtetonte teknologjinë e tij dhe “të shtronte rrugë për një kategori të re të ilaçeve”.

Marketing