Një vajzë 17-vjeçare ka rrëfyer për Radion Evropa e Lirë se si ka shkuar në Siri, kur i kishte vetëm 14 vjeç.
Nga martesa e dytë, ajo ka një fëmijë. E kthyer së bashku me mbi 100 kosovarë të tjerë, ajo thotë se do ta ketë të vështirë të integrohet në shoqëri.
Gruaja e intervistuar, e cila gjendet në arrest shtëpiak, ka kërkuar që mos t’i publikohet fytyra dhe emri i saj.
“Kam qenë 14-vjeçe. Ka qenë data 23 nëntor, viti 2015. Arsyeja që kam shkuar ka qenë më shumë për shkak të fejuarit tim. Në fillim ishte mirë, ishin të gjitha kushtet për jetesë, pastaj më vonë u keqësua gjendja edhe kisha vështirësi shumë, sidomos për ushqimin dhe pije. Nuk kishim të drejtë as të shkojmë të marrim ujë për të pirë. Kishim frikë se na vrasin”, ka shpjeguar ajo.
Kjo 17-vjeçare nga Kosova ishte njohur me një djalë nga Maqedonia e Veriut, i cili kishte shkuar në Siri. Ai arriti ta bindte gruan e tij të ardhshme kur ajo i kishte vetëm 14 vjet.
Nga premtimet e tij si dhe nga leximet në internet, ajo u bind se Siri ofron një jetë më të mirë. Në nëntor të vitit 2015, ajo shkoi në Siri nga aeroporti i Prishtinës përmes Stambollit.