Rrethi i dytë i zgjedhjeve vendore, KSHZ me plan të ri për të siguruar proces të pandërprerë

Rrethi i parë i zgjedhjeve lokale në përgjithësi kaloi me sukses, por me ndërprerje të caktuara dhe vonesë të fillimit të votimit për shkak të problemeve me pajisjet biometrike. U krijuan kolona të gjata dhe pritje në kushte pandemie, sepse aparatet nuk i njihnin të dhënat e votuesve. 90% e problemeve u paraqitën për shkak se anëtarët e komisioneve nuk dinin të punojnë me terminalet, thotë Dashtevski.

Marketing

“Votimi nuk filloi me kohë sepse kishte probleme me pajisjet. Votimi filloi në 8 e 17 minuta. Pastaj morëm udhëzime që votimi të vazhdojë sipas metodës së vjetër derisa të rregullohet aparati. Pajisjet filluan të funksionojnë në orën 10 kur votimi vazhdoi sipas mënyrës së re”.
TV21: Pse nuk funksiononte? Ku qëndronte problemi?
“Problemi ishte te printeri”.
TV21: Nuk kishit një tjetër për ta zëvendësuar?
“Ne e kontaktuam Komisionin Komunal Zgjedhor dhe ata ndërmorën gjithçka që ishte e nevojshme”, tha Jovan Jonovski – kryetar i Këshillit Zgjedhor.

Por, çka do të ndërmarrë KSHZ-ja në rrethin e dytë që procesi votues të zhvillohet pa pengesë? Përgjigjet i kërkuam nga kryetari, Aleksandar Dashtevski, i cili paralajmëroi plan të ri veprimi për votim me gjurmë gishtash. 400 teknikë do të kujdesen që të mos paraqiten probleme teknike.

“Këto pajisje rezerve që ishin në Komisionin Komunal Zgjedhor tani do të jenë bashkë me personin teknik i cili do të jetë në vendngjarje që t’u ndihmojë këshillave komunalë. Në qoftë se nuk funksionon, menjëherë do të zëvendësohet me aparat tjetër. Personi do të jetë aty gjatë gjithë ditës që t’u ndihmojë në qoftë se diçka bllokon”, potencoi Aleksandar Dashtevski – kryetar i Komisionit Shtetëror Zgjedhor.

Ai i shpjegon edhe çështjet që ishin të paqarta në raundin e parë, e të cilat merrnin 10-15 minuta nga votimi.

“Dy herë me gishtin e djathtë tregues, dy herë me gishtin e majtë dhe nëse nuk bëhet do të lihet letërnjoftimi ose pasaporta në MRZ skanerin dhe votuesi menjëherë do të identifikohet. Ose me numrin amë, sepse personi 100% figuron në aparat, pasi është futur në Listën e Zgjedhësve, por duhet gjetur mënyrë adekuate që të identifikohet. Në qoftë se nuk identifikohet me gjurmën e gishtave, do të identifikohet me letërnjoftim”, shtoi Dashtevski.

Sot, deri te komisionet komunale zgjedhore është shpërndarë edhe materiali votues nga shtypshkronja “Kiro Dandaro” në Manastir. Ministria e Punëve të Brendshme bën me dije se edhe të shtunën, edhe të dielën, shërbimet administrative do të punojnë në komunat ku do të votohet në raundin e dytë, me qëllim që qytetarët të mund t’i marrin letërnjoftimet e tyre./tv21