Rreziku nga varësia e rrjeteve sociale

Ndërsa shumë njerëz kalojnë kohë në telefonat e tyre duke kërkuar lajme ose për qëllime komunikimi, ata në fakt kalojnë pjesën më të madhe të kohës në mediat sociale.

Marketing

Duke qenë se është një aktivitet që sjell argëtim, nuk është e vështirë të hysh në një rreth vicioz të ngjashëm me atë të varësive tjera të njohura.

Problemi krijohet kur vazhdimisht qëndrojmë në rrjetet sociale në kërkim të kënaqësisë që bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u marrë pas një kohe.

Varësia nga interneti dhe rrjetet sociale nuk njihet si një diagnozë klinike zyrtare, por shumica e ekspertëve pajtohen koha e tepërt para ekranit mund të ketë pasoja negative shëndetësore, veçanërisht për fëmijët, raporton KosovaPress.

Michael Rich, trajton pacientët për atë që ai e quan përdorim problematik të medias në Klinikën e Çrregullimeve të Medias Interaktive në Spitalin e Fëmijëve në Boston.

“Ajo që krijon një problem është kur aktivitetet e përditshme të një personi ndërpriten në një farë mënyre. Ata nuk flenë mjaftueshëm. Ata hanë tepër. Ata braktisin shkollën ose bien në gjumë në shkollë. Ata e ndajnë veten nga miqtë e tyre”, shpjegon Rich për CNN.

Ai shton se do të donte të shmangte modelin e varësisë: “Si shoqëri, ne përdorim termin varësi me një konotacion poshtërues. Ne i mendojmë të varurit si njerëz të dobët me karakter të dobët. Ne i qasemi varësisë, sinqerisht, ende si diçka për t’u ndëshkuar, jo për t’u kuruar.”

Rich nuk mendon se teknologjia është shkaku i problemeve të pacientëve të tij, por se ajo vetëm i përkeqëson ato.

Për të reduktuar përdorimin e aplikacioneve të rrjeteve sociale, rekomandohet:

-Hiqni aplikacionet nga celulari ose pajisja juaj më e përdorur dhe mbajini larg syrit

-Lëreni telefonin tuaj në një dhomë tjetër

-Mos e sillni telefonin tuaj në dhomën e gjumit

-Shkarkoni aplikacione që mund të kufizojnë kohën që kaloni në mediat sociale

-Gjeni një hobi që nuk kërkon përdorimin e një ekrani

-Shmangni përdorimin e telefonit gjatë vakteve

-Çaktivizo njoftimet e aplikacioneve

-Hiqni të gjithë miqtë dhe ndjekësit që nuk i njihni në jetën reale

-Injoroni mesazhet negative

-Bëni pushime të rregullta nga mediat sociale

-Kërkoni ndihmë dhe mbështetje nga miqtë dhe familja

Megjithatë, në rastet më të rënda, këta hapa mund të mos jenë efektivë, ndaj është mirë që të kërkoni ndihmë profesionale.

Një studim i vitit 2017 zbuloi se përdorimi i tepërt i mediave sociale tek adoleshentët rezulton në trishtim, rritje të shkallës së vetëvrasjeve dhe stresit.

Ndërsa, një studim rishikues i vitit 2020 sugjeron një lidhje midis përdorimit të mediave sociale dhe çrregullimeve si depresioni dhe ankthi, pasi përdorimi i shtuar i mediave sociale mund të çojë në probleme me gjumin, mungesë aktiviteti fizik dhe presion të bashkëmoshatarëve.