Rrëzimi i helikopterit, në bord edhe pronari i Leicester City

Helikopteri i pronarit të Leicester Cityt u rrëzua mbi një parking automjetesh jashtë fushave sportive të klubit anglez, vetëm pak pasi ishte ngritur në fluturim për t’u larguar nga stadiumi, në përfundim të një ndeshjeje të Premier League.

Marketing

Vichai Srivaddhanaprabha ishte në bordin e helikopterit në çastin kur ndodhi aksidenti, në 20:30 të së shtunës me atë lokale, sipas asaj që kanë thënë burime pranë familjes së tij për BBC-në.

Një dëshmitar tha se kishte parë portierin e Leicester, Kasper Schmeichel që të dilte me vrap nga stadiumi në drejtim të vendit të aksidentit. Ende nuk dihet me saktësi se, sa persona të tjerë ishin në bord.

Leicester barazoi 1-1 me West Ham United në stadiumin “King Power”, ndeshje që nisi më 17:30 dhe mbaroi rreth një orë përpara se helikopteri i pronarit të ngrihej në fluturim.
Nën drejtimin e miliarderit Srivaddhanaprabha, Leicester City fitoi titullin kampion në Premier League në vitin 2016, përkundër të gjitha parashikimeve të mundshme.

Në orët e para të së dielës, një oficer i shërbimit zjarrfikës të Leicestershire tha se sapo kishte dalë nga një takim strategjik mes shumë agjencive. Ai e përshkroi përplasjen si “tragjike dhe serioze”, teksa kërkoi që të mos “spekulohej” mbi shkakun e rrëzimit apo personat e përfshirë në të.

“Ju lutem mos spekuloni, as për shkakun dhe as se kush është përfshirë. Mendoni për familjet e tyre, miqtë dhe të afërmit. Sigurisht mendoni edhe Leicesterin dhe tifozët”.

Marketing