Rritet çmimi i naftës pas sulmeve në impiantet e Arabisë Saudite

Çmimi i naftës në tregun ndërkombëtar ka shënuar rritje të hënën. Kjo është rritja më e madhe që nga Lufta e Gjirit Persik e vitit 1991. Sulmet në stacionet e naftës në Arabinë Saudite e zvogëluan për 5 për qind prodhimin botëror.

Marketing

Sidoqoftë, çmimi filloi të zbresë përsëri pas vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për shfrytëzimin e rezervave emergjente me qëllim të sigurimit të furnizimit stabil.

Çmimet e naftës në bursën ndërkombëtare u rritën deri në 19.5 për qind dhe shkuan në 71.95 dollarë për fuçi. Kjo ishte rritja më e madhe nga janari i vitit 1991.

Arabia Saudite është eksportuesi më i madh i naftës së papërpunuar në botë dhe sulmi ndaj stacioneve të naftës në këtë shtet e ka pakësuar prodhimin për 5.7 milionë fuçi nafte në ditë. Kompania prodhuese nuk ka treguar se kur do të kthehet prodhimi i sasisë së zakonshme.

Sidoqoftë, sipas një burimi, rikthimi i normalitetit pritet t’i marrë disa javë, gjë që do ta cenonte stabilitetin e furnizimit në tregun botëror.

Sipas një instituti australian, shtetet si India, Kina dhe Indonezia, të cilat janë blerësit kryesorë të naftës arabe, do të goditen më së shumti nga zvogëlimi i prodhimit, shkruan “Reuters”