Rritet kontrabandimi i mallrave ushqimore serbe që nga vendosja e taksës

Që nga 21 nëntori kur Kosova ka vendosur taksë doganore 100 për qind për Serbinë dhe Bosnjën, është rritur dukshëm kontrabandimi i mallrave ushqimore. Më 21 nëntor të vitit të kaluar Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që të gjitha mallrat me origjinë nga Serbia dhe nga Bosnja e Hercegovina të paguajnë taksë doganore prej 100 për qind.

Marketing

Mirëpo pavarësisht vendosjes së kësaj taksë, në Kosovë vazhdojnë të jenë prezent mallrat e Serbisë, e sidomos ato ushqimore. Që nga vendosja e taksës është rritur edhe kontrabanda me mallrat ushqimore të cilat hyjnë nga këto dy shtete.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës së Kosovës. Sipas Stavilecit, në të kaluarën kontrabanda me mallrat ushqimore nuk ka qenë tendencë, por që tani me vendosjen e kësaj takse është vërejtur kjo.

“Që nga vendosja e masës mbrojtëse, Dogana ka alokuar resurset e saj ashtu që ti përgjigjemi rritjes eventuale të kontrabandës, sidoqoftë shifrat flasin për nivel të njëjta të numrit të tentim kundërvajtjeve, por me të vetmin dallim që tani kemi kapur edhe mallra ushqimore me vlera minimale që më herët nuk ka qenë tendencë”, ka deklaruar Stavileci për lajmi.net. Ai po ashtu ka thënë se për të parandaluar kontrabandën e mallrave, Dogana e Kosovës ka bashkëpunim me doganat e rajonit.
Vlen të theksohet se në vazhdimësi është raportuar për kontrabandën e mallrave serbe në Kosovë dhe për praninë e tyre në marketet kosovare. Ndryshe që nga 21 nëntori, për shkak të vendosjes së kësaj takse Serbia ka bllokuar dialogun me Kosovës, përderisa ndërkombëtarët e në veçanti Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta shfuqizojë këtë taksë në mënyrë që të vazhdojë dialogu dhe të arrihet marrëveshja përfundimtare ligjërisht e obligueshme Kosovë-Serbi./Lajmi.net

Marketing