Rritet numri i rasteve të reja me koronavirus në rajon

Trend i rritjes së rasteve me Covid-19 ka kapluar edhe Shqipërinë. Gjatë 24 orëve të fundit, nga 270 testime, 48 persona kanë rezultuar pozitiv. Ky numër, ditën e sotme e vendos në krye të listës sa i përket numrit të të infektuarve. Institucionet relevante vlerësojnë se kjo rritje e numrit të rasteve të reja ka ardhur si rezultat i uljes së vigjilencës, shkujdesjes dhe mos respektimit të rregullave të distancës fizike në aktivitetet e përditshme.

Marketing

Shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve.Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale edhe një herë ka një lutje për qytetarët dhe bizneset të tregojnë kujdes sepse virusi është ende mes nesh”-pohoi Flutura Beqo- Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë.

Edhe në Kosovë, ku mbrëmjen e kaluar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike informoi për 58 raste të reja, është ngjallur shqetësim nga një valë e re e virusit korona. Një ditë më parë kryeministri Hoti, ka paralajmëruar se mosrespektimi i rekomandimeve mund të shkaktoje rikthim të masave kufizuese.

Gjendja është tepër serioze. Nëse nuk kemi kujdes, rastet rriten dhe sillemi ashtu si jemi sjellë gjatë ditëve të fundit nuk kemi zgjidhje pos të kthejmë masat e mëparshme dhe atëherë sistemi ekonomik dhe shoqëror do të kolapsojë”-tha Avdullah Hoti, kryeministër Kosovës.

Që nga fillimi i pandemisë në Kosovë janë konfirmuar 1384 raste me koronavius, 921 prej tyre janë shëruar dhe 32 kanë vdekur. Ndërsa në Shqipëri numri i përgjithshëm i të infektuarve është 1464, nga të cilat 1039, apo 70% janë shëruar dhe 36 persona kanë ndërruar jetë.

Evi Shkopi