Rritet numri i viktimave nga zjarret në Havai, dëmet të pallogaritshme

Ka shkuar në 89 numri i viktimave si pasojë e zjarreve në Havai, teksa guvernatori i shtetit pret që shifrat të rriten ndjeshëm në orët në vijim pasi shumë njerëz mungojnë ende në apel.

Marketing

Mbështetje shtesë ekspertësh është vendosur në ishullin Maui, ku puna mjeko-ligjore po vazhdon për të gjetur viktimat e zjarreve shkatërruese.

Ndërsa zjarret janë pothuajse nën kontroll, përpjekjet për t’i shuar plotësisht ato vazhdojnë në pjesë të ishullit, duke përfshirë rrethinat e qytetit historik të Lahaina, i cili është shkatërruar totalisht.

Guvernatori i Havait, Josh Green, u tha gazetarëve të shtunën se kjo është me siguri fatkeqësia më e madhe natyrore me të cilën është përballur ndonjëherë ishulli.

Mendohet se më shumë se 2000 ndërtesa janë dëmtuar ose shkatërruar që nga shpërthimi i zjarreve, shumica e të cilave në Lahaina.

Kostoja e rindërtimit të Maui është vlerësuar në 5.5 miliardë dollarë sipas Qendrës së Fatkeqësive të Paqësorit dhe FEMA, e cila po koordinon përpjekjet e ndihmës në Havaii nga Uashingtoni.