Në muajin qershor, shkalla e papunësisë në Suedi u rrit në nivelin e saj më të lartë që nga viti 1998, në gati 10 për qind, për shkak të pasojave ekonomike nga koronavirusi i ri, thanë të enjten zyrtarë të institucionit kryesor për statistikat e Suedisë.
Sipas të dhënave, Suedia kishte 557,000 punëkërkues në qershor, rreth 150,000 më shumë se një vit më parë, raporton AFP.
Veçanërisht të rinjtë janë goditur shumë. Papunësia në mesin e tyre ka arritur nivelet e saj më të larta që nga viti 1993.
Rreth 173,000 të rinj nën moshën 25 vjeç janë regjistruar si të papunë, 50,000 më shumë sesa para goditjes së pandemisë në Suedi.
“Rritja e shpejtë është kryesisht për shkak të atyre që kanë pasur kontrata të përkohshme dhe të cilëve nuk iu kanë vazhduar ato”, tha, David Samuelsson nga Statistikat e Suedisë.
Në Danimarkën fqinje, e cila kishte një bllokim shumë më të rreptë kundër pandemisë, në muajin maj shkalla e papunësisë zyrtare arriti nivelin e saj më të lartë që nga viti 2012.
Në Norvegji, shkalla e papunësisë ishte 4.9 për qind në qershor krahasuar me 3.8 në shkurt.
Ekonomitë skandinave pritet të pësojnë recesione të thella për shkak të masave kundër pandemisë.