Rritja çmimit të energjisë paralajmëron krizë të thellë dhe recesion, Qeveria ti pranojë propozimet e ASh-së

Në disa dalje publike Aleanca për Shqiptarët i ka paraqitur opinionit të gjerë fakte, argumente e shembuj konkret për kaosin që krijoi qeveria aktuale dhe KRrE me aprovimin e sistemit të ri tarifor për energjinë elektrike dhe rritjen marramendëse të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë e sidomos për konsumatorët e biznesit të vogël, rritje e cila solli efekte të padëshiruara e negative në tregun ekonomik në vend.

Marketing

Rritja e çmimit të energjisë elektrike në një kohë kur treguesit e varfërisë janë në rritje, ndërsa treguesit e zhvillimit ekonomik dhe ato të të ardhurave për qytetarët janë në rënie të vazhdueshme, është shprehje e një cinizmi të skajshëm, karakteristik për qeveritë që humbasin çdo lidhje me realitetin.

Gjatë muajit qershor 2022, KRrE aprovoi një rritje prej mbi 60% të çmimit të treguesit të furnizimit të energjisë elektrike për konsumatorët e biznesit të vogël, me çka çmimi final i furnizimit dhe distribuimit me energji elektrike ishte në nivelet prej 279 € per MWh, një çmim shumë herë më i lartë krahasuar jo vetëm me vendet e rajonit, por edhe me disa vende të tjera anëtare të BE-së dhe me ekonomi më të zhvilluar. Ky çmim i lartë për këtë kategori konsumuese, ishte një goditje e rëndë dhe vrastare për biznesin e vogël, me çka shumë biznese u mbyllën në pamundësi për të ekzistuar, duke lënë pa punë mijëra familjarë.

Pasi krijoi këtë kaos dhe pasi hasi në kundërshtim të ashpër të Aleancës për Shqiptarët, dhomave ekonomike dhe shoqatave të biznesit për këto rritje marramendëse të çmimit të energjisë elektrike për kategorinë konsumuese të biznesit të vogël, qeveria aktuale ishte e detyruar të reflektojë dhe më 29.12.2022 aprovoi ulje të çmimit të energjisë elektrike për këtë kategori konsumuese, ulje e cila i faturohet si sukses kundërshtimeve të zëshme e të arsyeshme të faktorëve të lartpërmendur, e jo kësaj qeverie, e cila numëron vetëm mos-suksese, skandale e korrupsion.

Por, edhe pse çmimi për këtë kategori pëson ulje, përsëri ai është shumë i lartë për një pjesë të theksuar të artizanateve dhe shërbimeve që ofron kjo kategori konsumuese.
Aleanca për Shqiptarët e këshilloi dhe i ofroi qeverisë aktuale një opsion që edhe për këtë kategori konsumuese të aprovojë fasha (bllok) tarifa, ku në fashën e parë e të dytë çmimet të jenë më të ulëta e të arsyeshme, ndërsa fasha e tretë e ajo e katërt të kenë çmimet aktuale, por fatkeqësisht e njëjta nuk u pranua.

Gjthashtu e informojmë opinionin publik se gjatë vitit që lamë pas, në mungesë të prodhimit vendor dhe politikave të gabuara gjatë këtyre 30 viteve në sferën e energjetikës, për përballimin e nevojave për furnizim me energji elektrike, përmes prokurimit publik u importua energji elektrike për të cilën nga buxhetit i shtetit u ndanë mbi 400 milion euro, para të taksapaguesve të këtij vendi.
Vetëm një të dhënë, me këtë kosto prej 400 milionë euro, mund të ndërtohet një hidrocentral deri në fazën e parafizibilitetit me digë të lartë (deri në kuotën mbi 440 metra mbi nivelin e detit), ku kapaciteti prodhues vjetor i këtij hidrocentrali do të ishte prej 1.000 GWh/vit, me çka do të kontribuonte ndjeshëm në reduktimin e importit dhe në sigurinë energjetike të vendit.
Por, fatkeqësisht qeveria aktuale nuk i ka vizionet e kapacitetet e duhura për të ndërtuar strategji e objekte të një rëndësie jetike për ekonominë e vendit.

Në takime me qytetarët dhe përfaqësues të dhomave ekonomike e ato të biznesit të vogël, Aleanca për Shqiptarët dëgjon e sheh në sytë e tyre një mllef dhe pakënaqësi të skajshme lidhur me masat që po ndërmerren nga qeveria aktuale në sferën ekonomike e atë energjetike.
Rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe taksave të tjera që ka planifikuar të rrisë kjo qeveri, janë një paralajmërim ogurzi se do të kemi thellim të krizës e të recesionit të ekonomisë së vendit për këtë vit.

Marketing