Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, i quan spekulime paralajmërimet për rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore. Askush nuk mund të merr vendim për dëmtimin e qytetarëve, thotë Bytyqi.
“Një shoqatë e caktuar nga Odat Ekonomike tha se rritjet e paralajmëruara janë spekulime, se nuk ka kushte për rritje të çmimeve të produkteve ushqimore bazë, sepse të gjithë parametrat tregojnë se ka rënie të lëndëve të para të produkteve ushqimore. Do ta përsëris qëndrimin tim dhe atë të ministrave të ekonomisë, financave dhe bujqësisë – se askush nuk do të tolerohet të marrë vendime që do të dëmtojnë qytetarët.”, – deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.
Bytyqi tha se rritja e çmimeve të disa produkteve ushqimore e sidomos tek produktet e qumështit janë si pasojë dhe trysni nga tregtarët. Ai tha se informacionet e disa tregtarëve do të verifikohen dhe do të publikohen.
“Jemi duke bërë analiza, por tashmë e dimë që produktet e qumështit nuk u shtrenjtuan për shkak të prodhuesve. Ata janë vënë në një situatë për të rritur çmimin e produkteve me një përqindje të caktuar, për shkak të presionit nga tregtarët. Sapo të dimë të gjitha informacionet, do të veprojmë në përputhje me rrethanat, qoftë me ngrirje të çmimeve apo me masa të tjera ligjore, gjithçka që është e ligjshme do të publikohet. Praktikat e mira nuk praktikohen në vendin tonë, për shkak të disa zinxhirëve tregtarë jo etikë dhe të padrejtë. Në këtë moment nuk do të doja të them emra, kur të marrim emrat dhe informacionet e tjera do t’i publikojmë në përputhje me rrethanat.”, – theksoi zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.
Bytyqi tha se nuk do të heshtë ndaj praktikave të padrejta në tregti, që dëmtojnë qytetarët e vendit