Rritja e çmimit të rrymës në tregjet ndërkombëtare a do të reflektojë edhe në RMV?

Qeveria e Shqipërisë ka deklaruar emergjencë për furnizimin me energji elektrike, pas rritjes së çmimit të energjisë në javën e fundit.
Kryeministri Edi Rama, në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së jashtëzakonshme të qeverisë, tha se shpallja e emergjencës për furnizimin me energji elektrike, i jep qeverisë mundësinë që të ndërhyjë me instrumenta financiarë dhe administrativë.

Marketing

“Vendimi i emergjencës është i diktuar nga një situatë e përgjithshme e rritjes marramendëse të çmimit të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare dhe i jep qeverisë mundësinë që të ndërhyjë, qoftë me instrumenta financiarë, qoftë edhe me instrumenta të natyrës administrative. Kështu që sot, me këtë vendim, i hapim rrugë edhe ekzekutimit të mëtejshëm të planit të posaçëm, për të përballuar këtë situatë dhe planin do ta bëj publik nesër”, tha Rama.

Drejtori i Përgjithshëm i SHA EMV Vasko Kovaçevski, pas takimit me Odën Ekonomike tha se sipas planit për 2021-2022, sasitë e qymyrit nga prodhimi vendor 100% do të përmbushin prodhimin e energjisë elektrike për EVN Home. Ai shtoi se sasitë shtesë të energjisë elektrike që janë të nevojshme aktualisht, urgjentisht mund t’i sigurojmë vetëm me import ndërhyrës të qymyrit.

“Sasitë shtesë të energjisë elektrike që janë të nevojshme aktualisht, urgjentisht mund t’i sigurojmë vetëm me import ndërhyrës të qymyrit, i cili më së shpejti mund të vijë nga rajoni, përkatësisht nga vendet fqinje. Përndryshe prokurimi i qymyrit dhe prodhimi i energjisë së këtillë, do të jetë shumë më i lirë për ekonominë dhe institucionet, se sa të importohet energji në periudhë nga dhjetori deri në prill. Menjëherë duhet të bëjmë import ndërhyrës të qymyrit, ta prodhojmë këtë energji, të stabilizojmë ekonominë dhe institucionet e pushtetit”, deklaroi Kovaçevski.

Por a do reflektojë kjo situatë edhe në vendin tonë? Kryeministri Zoran Zaev, pohoi se shteti financiarisht është në gjendje të qëndrueshme, ndërsa ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi siguron se nuk do të ketë krizë energjetike. Ai tha se nëse ka rritje “shokuese” të çmimeve atëherë si ministri do të intervenojnë menjëherë me ngrirjen e çmimeve. E me këtë rast ka reaguar profesori Trajko Sllaveski nga VMRO-DPMNE, njëherit edhe ish ministër i Financave. Ai thotë se rritja e pagave dhe ngrirja e çmimeve nuk mund të ndodh në të njëjtën kohë, siç ka paralajmëruar Qeveria.

“Shembulli me rritjen e pagave, që është e parealizueshme dhe premtim jomoral në kushtet aktuale, ndërsa ministri i ekonomisë planifikon inflacionin, që tashmë kohë të gjatë troket në derë dhe po i zbraz xhepat e qytetarëve, ta zbus me ngrirjen e çmimeve. Është shumë e qartë se njëra me tjetrën nuk shkon, ngrirja e çmimeve për derisa ndodh rritje e pagave është me të vërtetë kombinim i pamundur në kushtet e tanishme kur inflacioni është në nivel të lartë. Në Evropë këtë nuk do ta bëj asnjë qeveri, ky hap naiv apo populizëm nga zotëri Zaev çon në spiralen e rrezikshme të rritjes së çmimeve dhe pagave”, kritikon Trajko Sllavevski, anëtar i KE VMRO-DPMNE.

Për paralajmërimin për krizë energjetike dhe rritje të çmimit të rrymës, nga Qeveria gjithashtu kanë njoftuar se në këtë aspekt ndërmarrin masa për ta rritur prodhimin vendor dhe të aktivizohet blloku i tretë i TEC-Manastirit.TV21