Rritja e pagave në arsim, Ministria dhe Sindikata mosmarrëveshje rreth përqindjes

MASh premton nga shtatori rritje të pagave për të punësuarit në arsim.

Marketing

Por, derisa dikasteri i arsimit thotë se rritja do të jetë për 5 %, nga SAShK-u kërkojnë rritje më të madhe.

“Siç e dini, gjatë vitit 2018 kemi ngritje të pagave për 5% edhe gjatë vitit 2019, duke filluar nga muaji shtator, do të ketë ngritje të pagave për 5%, kësaj radhe do të ketë ngritje të pagave edhe në arsimin e lartë për të gjithë të punësuarit”,- deklaroi ministri i arsimit, Arbër Ademi.

“Qëndrimi ynë është shumë i qartë. Paga në arsim duhet të rritet më shumë se 5%, ne çdo herë themi se duhet të rriten pagat aq sa janë pagat në nivel kombëtar”,- tha kryetari i SAShK-ut, Jakim Nedellkov.

Kërkesat sindikale të SAShK-ut gjetën përkrahje edhe nga Konfederata Evropiane e sindikatave për arsim dhe sindikata e pavarur e arsimit në Shqipëri.

“Mesa jam njoftuar, ligjet tuaja në arsim dhe shkencë janë të mira, por implementimi nuk është i mjaftueshëm. Ne mbështesim avancimin e dialogut social, me qëllim që edhe vendet tuaja t’i afrohen nivelit të shteteve të zhvilluara”,- deklaroi Suzan Floken nga Konfederata Evropiane e Sindikatave të A. Sh.

“Jemi këtu në solidaritet me sindikatën e arsimit dhe shkencës së Maqedonisë, për kushte më të mira pune, për siguri të vendeve të punës, për ruajtjen e tyre dhe për paga më të larta”,- tha Nefrus Kapteri nga Sindikata e Arsimit dhe Shkencës e Shqipërisë.

Këto sindikata i sugjerojnë qeverisë të ketë parasysh sugjerimet e OECD-së dhe UNICEF–it pas analizës së sistemin arsimor vitin e kaluar.