Këtë ditë filloi asfaltimi i Rrugës së Arbërit edhe atë nga kilometrat e parë që lidhin Tiranën me vendbanimet rurale të Shqipërisë lindore . Kompania që realizon këtë projekt të madh kombëtar “Gjoka Konstrukcion SH.A”, me një dinamikë të theksuar ka kumtuar se në vitin 2021 rruga do të jetë gati. Sipas qeverisë shqiptare dhe proektantëve të këtij projekti të madh në sferën e infrastrukturës, ndërtimi i kësaj rruge që faktikisht lidh Tiranën me Dibrën synon të krijojë një korridor ekonomik efikas jo vetëm me krahinën e Dibrës, por edhe nëpërmjet Dibrës së Madhe edhe me vendet e rajonit.
Fillimin e asfaltimit e përshëndetën udhëheqësit e dy Dibrave, të cilët në faqet zyrtare të tyre vlerësojnë se kjo rrugë hap definitivisht mundësi të mëdha ekonomie dhe sociale. Në faqen zyrtare të komunës Dibër e Madhe theksohet: “Një ëndërr e kamotshme e dibranëve filloi të bëhet realitet. Rruga e Arbërit po jetësohet, po shihet me sytë tonë dhe nga zemra del një faleminderim për të gjithë ata njerëz dhe ekspertë që u munduan për bashkimin e kësaj popullate me histori vuajtjesh dhe krenarie. Tash mbetet detyrë prioritare e jona dhe e qeverisë së RMV që kjo rrugë me rëndësi kombëtare të vazhdohet sa ma shpejt edhe në territorin e RMV-sw”.
Kryetari Dibrws, Hekuran Duka, shumë herw ka vlerësuar se kjo rrugë hap mundësi të mëdha edhe për Dibrën e Madhe. Edhe Bashkia e Peshkopisë ka vlerësuar shumë fillimin e asfaltimit të rrugës. Kjo bashki , të cilën e udhëheq kryetari Dionis Imeraj, në faqen zyrtare thekson: “Shtrimi i asfaltit në kilometrat e parë nga Tirana në Rrugën e Arbërit, garanton veprën më të rëndësishme infrastrukturore, të shumëpritur nga ne Dibranët, e cila përveçse do të shkurtojë e lehtësojë ndjeshëm lëvizjen drejt Tiranës, do të sjellë tjetër impuls zhvillimi për Dibrën! Bashkia Peshkopi ose siç i thonë dibranët – Dibra e Vogël, vlerëson se ndërtimi i kësaj rrugë definitivisht hap perspektiva të mëdha për krahinën e Dibrës në përgjithësi”.
Dinamikën e përshpejtuar në ndërtimin e Rrugës së Arbërit, e cila nga populli quhet edhe Rruga e Karvanëve meqë pikërisht këtë rrugë e kanë përdorur dibranët me karvanët për të tregtuar me pjesën qendrore të shtetit shqiptar, e përshëndesin edhe biznesmenët nga të dy Dibrat, por jo vetëm ata. Kjo rrugë, e cila nga 160 kilometra shkurtohen në vetëm 70 kilometra nga Tirana e deri tek kufiri me Dibrën e Madhe, me padurim pritet edhe nga banorët të Gostivarit, Tetovës , Shkupit etj. meqë ofron ata me bregdetin shqiptar dhe mundëson një zhvillim me të shpejtë edhe në marrëdhëniet të biznesit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në disa takime që kanë patur qeveritarët e të dy shteteve është theksuar se edhe Shkupi zyrtar do të vazhdojë këtë rrugë në Maqedoni. Një projekt i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore tani më është gati, theksojnë mediat në të dy vendet dhe kjo rrugë do të ketë edhe efekte ma të gjëra rajonale.
Drejtuesit e kompanisë “Gjoka Konstrukcion SHA” thonë se nga viti 2018, kur startoi fillimi i rrugës, deri tani janë realizuar 60 për qind e punimeve dhe deri tani janë hapur 7 nga 8 tunelet dhe janë ndërtuar 3 nga 4 urat. Pritet që në përputhje me kontratën , rruga të jetë gati në vitin 2021.koha.mk