Rruga e Lubotenit po asfaltohet “holl e ngusht”! Banorët ankohen se u premtua ndryshe, Komuna do ta përmirësojë gabimin

Rruga e Lubotenit në Shkup, po asfaltohet. Por jo e tëra! Madje as aq sa ka qenë asfalti i vjetër. Segmenti i gjatë 900 metra në lagjen Radishan nuk po i kënaq banorët e zonës. Ata ankohen se rruga po shtrohet shumë e hollë e ngushtë. Ekipi i TV21 ishte në vendngjarje deri sa po asfaltohej kjo rrugë.

Banorët thonë se nga Komuna e Butelit u është premtuar që gjerësia e rrugës do të jetë sa ka qenë, 4,20 metra, por tani që po bëhet, është më pak se 3 metra e gjerë. Ndihen të mashtruar.

“Tani e kanë bërë kaq sa nuk do kalojnë as dy biçikleta, kjo është për gjynah! A kur të vendoset dhe trotuaret nuk do të mund të kalojnë as dy vetura. Se kush është fajtor këtë nuk e di”, tha një qytetar.

“Duhej edhe kjo pjesë të asfaltohet se e vjetra ishte e gjitha e tash asgjë! Kjo kështu mirë duket ama e gjitha na ishte e asfaltuar deri në cep, e gërryen e lanë kështu dhe tani…”, shtoi një qytetare.

“Nuk është as i gjerë, por është i hollë, së paku duhet t’i ketë 8 cm, a kjo nuk i ka aq. Nuk jemi të kënaqur, vet syri të tregon”, deklaroi një qytetar tjetër.

“Siç ishte, tani është mirë! Më herët kishte shumë gropa, tani është mirë. Ata thonë 3,5 metra a duhej 4 metra, tani nuk e di si do të jetë. Deri këtu në cep të rrugës është dashur të asfaltohet”, potencoi një qytetar.

 

 

Pas denoncimit të banorëve në TV21 se po u bëhet padrejtësi, nga Komuna e Butelit na thanë se brenda ditësh janë marr vesh me zbatuesin e projektit që të shtohet edhe 1,2 metra gjerësia e kësaj rruge. Me kërkesë të banorëve nga kabineti i kryetarit të komunës Darko Kostovski, do të ri asfaltohet pjesa që mungon, përkatësisht për të arritur në 4,2 metra gjerësi.

Projekti fillestar ka kushtuar 5,7 milionë denarë përfshirë TVSH-në, ndërsa shtesa që do të bëhet, pritet të kushtojë edhe 1 milion denarë shtesë.

Marketing