Rubio kritikon ashpër veprimet e Dodik, reagon edhe Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani iu ka bashkuar deklaratës së sekretarit të shtetit amerikan, Marco Rubio duke riafirmuar mbështetjen e palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Marketing

Ajo ka shkruar në X, se gjithashtu dënojnë me forcë çdo veprim që minon themelet e Bosnje-Hercegovinës, pasi kërcënon paqen dhe stabilitetin që rajoni ynë ka punuar pa u lodhur për të arritur, përmes dekadash sakrificash dhe me mbështetjen e palëkundur amerikane.

“Angazhimi i SHBA-së mbetet parësor për të siguruar që rajoni ynë të ecë drejt stabilitetit dhe paqes së qëndrueshme, si dhe drejt një të ardhmeje euroatlantike. Ne jemi të përkushtuar të punojmë ngushtë me Shtetet e Bashkuara për të arritur këtë qëllim”, ka shkruar ajo.

Ndërkaq sekretari Rubio nëpërmjet një reagimi ka kërkuar dialog konstruktiv.

“Veprimet e Presidentit të Republika Srpska, Milorad Dodik, po minojnë institucionet e Bosnje dhe Hercegovinës dhe po kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e saj. Kombi ynë inkurajon liderët politikë në Bosnjë dhe Hercegovinë që të angazhohen në dialog konstruktiv dhe të përgjegjshëm. Ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë në rajon që të bashkohen me ne për të kundërshtuar këtë sjellje të rrezikshme dhe destabilizuese”, ka shkruar sekretari Rubio në X.

Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, mbrëmjen e 5 marsit ka nënshkruar dekretet për shpalljen e ligjeve jokushtetuese, të miratuara në Kuvendin e këtij entiteti të Bosnjë e Hercegovinës, me të cilat ndalohet veprimtaria e Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnjë e Hercegovinës, Agjencisë Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA) dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnjës (VSTS).

Ndër këto ligje përfshihet edhe ai për Regjistrin e Posaçëm dhe transparencën e punës së organizatave jofitimprurëse.

Më herët gjatë ditës, Klubi i Boshnjakëve në Këshillin e Popujve, organ legjislativ i Republikës Sërpska (RS), nuk e aktivizoi mekanizmin e interesit jetik kombëtar, i cili do të mundësonte potencialisht parandalimin e hyrjes në fuqi të ligjit që ndalon punën e institucioneve gjyqësore dhe prokuroriale të shtetit të Bosnje dhe Hercegovinës në atë entitet.

Ligjet u miratuan nga Kuvendi i Popullit të RS më 27 shkurt, si organi kryesor legjislativ.

Kuvendi i Republikës Sërpska miraton ligje që ndalojnë punën e institucioneve shtetërore të Bosnjës brenda entitetit

Këshilli i Popujve, në fakt, nuk është një dhomë e barabartë me Kuvendin Popullor të RS-së, por një institucion i veçantë i pushtetit legjislativ, që shqyrton ligjet vetëm nëse një ose më shumë klube të popujve kërkojnë shqyrtimin e shkeljes së interesit jetik kombëtar.

Pas vendimit të Klubit të Boshnjakëve, u krijuan kushtet që këto ligje jokushtetuese, të cilat ndalojnë punën e institucioneve gjyqësore të shtetit të Bosnjës në RS, të nënshkruhen nga presidenti i RS, Milorad Dodik.

Marketing