Kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, sot për vizitë po qëndron në Maqedoni . Ai u takua me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, si dhe me Grupin Parlamentar të Kuvendit të Maqedonisë për bashkëpunim me Parlamentin e Shqipërisë. Ruçi përshëndeti marrëveshjen e arritur të Prespës dhe të gjitha përpjekjet që po bëhen për ndryshimin e emrit dhe antarësimin për në NATO dhe BE.
“Përshëndetëm arritjet e Marrëveshjes së Prespës dhe të gjitha përpjekjet që po bëhen në drejtim të ndërrimit të emrit që do ti hapë rrugën për anëtarësim në NATO dhe BE. I garantova kryetarit të Kuvendit mbështetjen e plotë të Maqedonisë për anëtarësim në NATO. Gjithashtu të dyja palët e shprehëm gatishmërinë tonë në drejtim të bashkëpunimit në aktivitete ndër parlamentare për anëtarësim në BE. Sigurisht një vend të rëndësishëm zuri situata në Ballkanin Perëndimorë, me ç’rastë nënvizuam se rruga e vetme për zgjidhjen e problemeve është dialogu. Shprehën shqetësimin e përbashkët për rritjen e tensionit mes Serbisë dhe Kosovës. Shqipëria dhe Maqedonia po japin kontribut stabilizues për gjithë rajonin e Ballkanit perëndimor”, tha Gramoz Ruçi, kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.
“Si dy vende fqinje bashkëpunojmë edhe në drejtim të integrimit të vendit në BE dhe NATO. Bashkë konstatuam se vetëm me dialog mund të përmbyllen çështjet e hapura me fqinjët dhe se vetëm në këtë mënyrë mund të tejkalohen problemet”, deklaroi kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili njëherit ka njoftuar homologun e tij nga Shqipëria për të gjitha aktivitetet e Kuvendit, përfshi edhe përmbushjen e pikave që burojnë nga Marrëveshja e Prespës.