Rusia dëbon diplomatin italian në një veprim hakmarrës

Rusia ka bërë të ditur se ka dëbuar një diplomat italian pas një veprimi “jo miqësor” të muajit mars nga Roma për largimin e dy diplomatëve rusë për akuza të spiunimit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, ambasadori italian në Moskë, Pasquale Terracciano, është thirrur dhe i është dorëzuar një notë ku thuhet se atasheu detar në ambasadën në Moskë, Curzio Pacifici, është shpallur “person non grata”.

Më tej, ministria ruse njoftoi se zyrtari është urdhëruar të lëshojë vendin brenda 24 orëve.

Marketing

Veprimi vjen pasi Italia në muajin mars dëboi dy diplomatë rusë pasi një oficer i marinës italiane u kap përderisa pretendohej se po i dorëzonte dokumente të klasifikuara një zyrtari rus në këmbim të parave.

Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme e Italisë vendimin e Rusisë e quajti “të pabazuar dhe të padrejtë”.

“Ne e konsiderojmë vendimin të pabazuar dhe të padrejtë, sepse është hakmarrje ndaj një mase legjitime të marrë nga autoritetet italiane në mbrojtje të sigurisë së tyre”, tha ministria italiane.

Prokurorët e Romës kanë filluar një hetim mbi çështjen në fjalë, e cila përfshin krime në lidhje me spiunazhin dhe shkeljet e sigurisë së shtetit.



. .