Rusia dëbon dy diplomatë amerikanë, përgjigjet SHBA: Do të veprojmë me shpejtësi

Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen në mënyrë të përshtatshme dhe me shpejtësi ndaj vendimit të Moskës për dëbimin e dy diplomatëve amerikanë nga Rusia, tha në një konferencë shtypi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Matthew Miller. “Dëbimi i pajustifikuar i personelit tonë diplomatik është krejtësisht i pamerituar”, theksoi Miller.

Marketing

Dje Ministria e Jashtme ruse i tha ambasadores amerikane Lynne Tracy se dy diplomatët Jeffrey Sillin dhe David Bernstein ishin shpallur “persona non grata” dhe do të duhej të largoheshin nga Federata Ruse brenda shtatë ditëve.

Qeveria e Moskës akuzoi Sillin dhe Bernstein për kryerjen e “aktiviteteve të paligjshme” dhe bashkëpunimin me Robert Shonov, një shtetas rus i arrestuar me akuza për spiunazh në maj 2023. “Edhe një herë Rusia preferoi konfrontimin dhe përshkallëzimin sesa angazhimin konstruktiv diplomatik. Vazhdon të ngacmojë punonjësit tanë të ambasadës, ashtu siç vazhdon të frikësojë qytetarët e saj”, tha Miller.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha se diplomatët amerikanë “thjesht po bënin punën e tyre” dhe se asnjëri nuk ishte fajtor për keqbërje ose aktivitet kriminal. Miller tha gjithashtu se Shonov, një ish-punonjës i konsullatës amerikane, veproi “në përputhje me ligjin rus”. Sillin dhe Bernstein nuk janë larguar ende nga Rusia, tha Miller.