Sipas Njoftimit për Avionet (NOTAM), Rusia përkohësisht ka kufizuar fluturimet e aviacionit mbi pjesë të Krimesë dhe Detit të Zi, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Zona është shpallur përkohësisht e rrezikshme për fluturimet e avionëve”, tha dokumenti i NOTAM-it.
Zona e kufizimit të fluturimit përfshin disa zona mbi pjesën jugore të Krimesë, përkatësisht nga Sevastopol-i deri në Feodosia, ujërat territoriale ngjitur me bregdetin jugor të Krimesë, si dhe një pjesë të ujërave ndërkombëtare të Detit të Zi.
Më 14 prill, Rusia njoftoi pezullimin e mundësisë së kalimit të anijeve të huaja luftarake nëpër ujërat e saj territoriale në Detin e Zi nga 24 prilli deri më 31 tetor.
Masa erdhi një ditë pasi ministri rus i Mbrojtjes, Sergey Shoygu, tha se vendi i tij “po merr masa në përgjigje të kërcënimeve nga NATO”.
Në një deklaratë tjetër, zv/ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Ryabkov, shpjegoi se kufizimet vlejnë për anijet luftarake dhe jo për anijet tregtare dhe civile.
Duke iu përgjigjur protestës nga Kievi, e cila kërkoi anulimin e kufizimeve, zv/ministri Ryabkov tha se nuk u vendosën kufizime për përdorimin e porteve të Ukrainës në Detin Azov dhe për tregtinë e saj dhe transportin civil në rajon.
Por Departmenti i Shtetit i SHBA-së masën e Rusisë e cilësoi si “një përshkallëzim”.
Konflikti në juglindje të Ukrainës është përshkallëzuar javët e fundit. Kievi dhe separistët e mbështetur nga Rusia akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit.
Në javët e fundit, Rusia ka mbledhur forca të gatshme për luftim pranë kufirit ukrainas, që konsiderohet si masa më e madhe e trupave ruse që nga aneksimi i paligjshëm i Krimesë në vitin 2014.