Rusia reagon pas gatishmërisë së 8.500 trupave amerikane për nisje drejt Evropës

Rusia tha të martën se është duke shikuar me shqetësim të madh, pasi Shtetet e Bashkuara vendosën 8.500 trupa në gjendje gatishmërie për nisje drejt Evropës në rast të eskalimit të krizës në Ukrainë.

Marketing

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e akuzoi Uashingtonin për rritje të tensioneve rreth Ukrainës, duke e përsëritur linjën e Moskës se kriza është duke u drejtuar nga veprimet e ShBA-së dhe NATO-s e jo nga grumbullimi i dhjetëra mijëra trupave ruse afër kufirit ukrainas.

Zyrtari rus tha se Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, këtë javë do të zhvillojë bisedë me homologun francez, Emmanuel Macron, i cili gjithashtu ka planifikuar të bisedojë me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy.

Sipas tij, vënia në gatishmëri e trupave amerikane nuk ndikon në negociata, sepse faza e tanishme e bisedimeve është kompletuar, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.

Rusia po pret përgjigje me shkrim nga Shtetet e Bashkuara këtë javë për listën e saj të kërkesave rreth sigurisë, disa prej të cilave ShBA-ja ka dhënë shenjë se nuk do të pranohen që në fillim.

Ndryshe, NATO-ja tha të hënën se do t’i vendosë forcat e veta në gjendje gatishmërie dhe do të përforcohet në Evropën Lindore me më shumë anije dhe aeroplanë luftarakë.

Shtetet perëndimore e akuzojnë Rusinë se po planifikon sulm të ri ndaj Ukrainës, një pjesë të së cilës e kishte pushtuar në vitin 2014. Moska ka mohuar se ka plan të tillë, por thotë se mund të ndërmarrë veprim të pasaktësuar ushtarak, nëse kërkesat e saj nuk plotësohen, përfshirë kërkesën që NATO-ja kurrë të mos e pranojë Ukrainën si anëtare.

Marketing