Rusia rinis furnizimet me gaz për Europën

Rusia rihapi rubinetin e saj të gazit për Europën, pas një ndërprerjeje 10 ditore. Gazsjellësi Nord Stream 1 është vendosur sërish në funksion me përfundimin e punimeve të mirëmbajtjes. Ka pasur dyshime të forta dhe frikë se Moska nuk do të rikthente furnizimet me gaz në kundërpërgjigje ndaj sanksioneve të Bashkimit Europian lidhur me luftën në Ukrainë.

Marketing

“Jam i lehtësuar që pak gaz po rrjedh sërish. Në të njëjtën kohë, unë besoj se ne si vend nuk duhet ta lëmë veten të shantazhohemi nga Rusia dhe kështu ndjenjat e mia janë të përziera”, shprehet Jens Hofmeister, shtetas i Gjermanisë

“Për konsumatorët mund të jetë pozitive, natyrisht, nëse ka një ndikim pozitiv në çmimet e gazit. Sidomos për familjet më të varfra ky lajm mund të ketë një efekt qetësues. Në nivel politik, ndoshta nuk është një lajm i mirë, kështu që jam disi e dyzuar”, tha Michaela Boyen, shtetase e Gjermanisë.

Gjatë të mërkurës, Brukseli u kërkoi vendeve anëtare të unionit që të reduktojnë përdorimin e gazit me 15 për qind në 7 muajt e ardhshëm, nëse Rusia do ta mbante mbyllur tubacionin me të cilin furnizon Europën. Kontinenti i vjetër është përpjekur për muaj të reduktojë varësinë energjetike nga Moska, ndërsa ka marrë 40 për qind të gazit nga ky shtet përgjatë vitit të kaluar.

Gjermania është importuesi më i madh, por ka ulur varësinë në dy vite, nga 55 për qind në 35 për qind. Të njëjtën gjë po kërkojnë të bëjnë dhe vendet e tjera europiane që po firmosin kontrata furnizimi me gaz nga Lindja e Mesme dhe shtete të tjera larg Moskës.