Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) i kërkoi Rusisë të ndiqte udhëzimet e përcaktuara për prodhimin e vaksinave të sigurta dhe efektive.
OBSH-ja theksoi se të gjitha kompanitë kandidate për prodhimin e vaksinave duhet të kalojnë fazat e plota të testimit para se të fillojnë prodhimin.
“Ka praktika të vendosura dhe ka udhëzime për këtë”, tha zëdhënësi i OBSH-së, Christian Lindmeier, para gazetarëve në selinë e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë.
Shkencëtarët në Perëndim kanë ngritur shqetësime në lidhje me shpejtësinë e zhvillimit të vaksinave ruse, duke sugjeruar që studiuesit mund të jenë nën presionin e autoriteteve për të ofruar një zgjidhje sa më të shpejtë.
Rusia tha të hënën se synon të nisë prodhimin në masë të një vaksine në shtator dhe se do të zgjerojë prodhimin në “disa milionë” doza në muaj, brenda vitit të ardhshëm.
Nga ana tjetër, në po të njëjtën ditë, Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se mund të mos ketë kurrë një vaksinë perfekte për COVID-19.