Rusia thotë se nuk do të vendosë sisteme të reja raketore nëse SHBA-ja bën të njëjtën gjë

Ministri i Mbrojtjes së Rusisë, Sergei Shoigu tha sot se Moska nuk do të vendosë raketa të reja, përderisa zyrtarët e Shteteve të Bashkuara do të bëjnë të njëjtën gjë në Evropë dhe Azi.

Marketing

Ai tha se vendi i tij është i gatshëm për dialog me SHBA-në lidhur me raketat me rreze të mesme dhe të shkurtër veprimi dhe ripërsëriti qëndrimet e fundit të Moskës se nuk ka plane për dislokime të reja të raketave.

“Ne do t’i përmbahemi kësaj. Nëse nuk ka sisteme të tilla në Evropë (të vendosura nga Uashingtoni) ne nuk do të bëjmë asgjë atje”, tha Shoigu.

Agjencia e lajmeve Tass citoi Shoigu të thoshte se “ne po e mbajmë derën hapur, ne ende besojmë se për sa kohë SHBA-ja nuk vendos sisteme të tilla në Evropë, ne nuk do të vendosim dhe për sa kohë nuk ka raketa amerikane në Azi, në atë rajon nuk do të ketë as raketa tona”.

Deklaratat e Shoigu janë të fundit në një varg deklarimesh lidhur me raketat, pasi Rusia dhe SHBA-ja, muajin e kaluar braktisën Traktatin e Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi, që ishte nënshkruar më 1988.

Tërheqja nga ky traktat, ngjalli frikën se një garë e re armësh mund të nisë ndërmjet fuqive më të mëdha bërthamore në botë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, më 5 gusht kishte thënë se shteti i tij do të përgjigjej nëse SHBA-ja zhvillon raketa bërthamore me rreze të shkurtër apo të mesme veprimi.

Rusia në fillim të kësaj jave njoftoi se kishte testuar dy avion me kapacitete për të mbajtur raketa bërthamore në rajonin e Lindjes së Largët, përtej territorit të Alaskës, një veprim ky që sipas medias shtetërore ruse, dëshmon aftësitë e Kremlinit për të vendosur avion të tillë luftarakë pranë radarëve të SHBA-së.

Avionët supersonik të tipit Tupolev TU-160, janë të aftë që të mbajnë 12 raketa bërthamore me rreze të shkurtër veprimi dhe të fluturojnë 12 mijë kilometra, pa pasur nevojë që të furnizohen me karburant, transmeton rel.

Presidenti amerikan, Donald Trump, në fillim të gushtit u pati thënë gazetarëve se ai dëshiron të arrijë një marrëveshje të re me Rusinë, që do të zvogëlonte të gjitha forcat bërthamore dhe ndoshta në këtë marrëveshje do të mund të përfshihej edhe Kina.