Ruskovska: Dëshmitari i kërcënuar tha se Gruevski dha direktiva për sulmin në Kuvend

Në seancën e sotme për ngjarjet e përgjakshme të 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë, prokuroret Villma Ruskoska dhe Ivana Trajçeva kanë dhënë fjalët përfundimtare.

Marketing

Ruskoska tha se shumë punë kanë ndryshuar në gjykatë dhe jashtë saj, prej kur ka filluar gjykimi për 27 prillin.
“Gjykimi për mua si person ka shkaktuar ndjenjën e hidhërimit dhe turpit, për shkak të traumës që përjetoi shtëpia më e lartë ligjvënëse”, tha Ruskoska.

Ajo foli edhe për Ligjin për amnisti, për të cilin tha se ka ndikuar në mosndëshkueshmërinë. Ajo tha se vetëm faktet janë të rëndësishme, pasi atë ditë qytetarët kanë parë shumë dhunë.

Prokurorja Ruskoska tha se shefi i atëhershëm i Byrosë për Siguri Publik Mitko Çavkov, ka qenë në shtabin e VMRO-DPMNE-së dhe prej atje ka dhënë urdhra për veprime pasive.
Ajo tha se nuk kanë mundur ta gjejnë celularin e Çavkovit, pasi e ka humbur nëpër spitale. Ajo tha se komunikimi i Çavkovit ka qenë përmes Viberit.

“Kur Çavkovi ka marrë mesazhin se do të zgjedhet kryetari i Kuvendit, të njëjtin mesazh ia ka dërguar edhe Nikolla Gruevskit, që është konfirmuar nga analiza e celularit të Trajko Veljanoskit”, tha mes tjerash Ruskoska.
Ajo gjithashtu tha se dëshmitari S1 dëshmoi se sulmi në Kuvend ka ndodhur sipas direktivës së ish kryeministrit të arratisur Nkolla Gruevski.

Ndryshe, për ngjarjet e 27 prillit fillimisht u akuzuan 33 persona, prej të cilëve 31 për veprën “terrorizëm” dhe dy të tjerë për veprën “nxitje”, ndërsa me Ligjin për amnisti 15 persona u liruan nga akuzat.

Të akuzuar për “të enjten e përgjakshme” tani janë: Mitko Çavkov, Mitko Peshov, Dushko Lazarov, Goran Gjoshevski Levi, Oliver Popovski, Oliver Radulov, Munir Pepiq, Abdulfeta Alimi, Igor Durllovski, Mlladen Dodevski, Jane Çento, Goranca Angelovski-Çento, Igor Jug, Vllatko Trajkovski, Villiam Mihajllovski, Nikola Mitrovski Koljo, Sasho Markovski dhe Aleksandar Vasilevski Nixha.