Dokumenti i Shqipërisë që kohës së fundit e ka marrë shefja e Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, prokurorja Villma Ruskoska, në lidhje me ikën e ish-kryeministrit Nikolla Gruevskit, nuk zbulon asgjë të re, tha prokurorja Ruskovska për “Fokus”, transmeton Portalb.mk.
“E kam rishikuar dokumentin, por nuk ka asnjë informatë të re të dobishme. Shkruan se nga cili vendkalim kufitar ka kaluar Gruevski ka dalë nga Shqipëria dhe nga ku ka hyrë në Malin e Zi, ndërsa këtë tashmë e kemi marrë si informatë nga Mali i Zi. Shqipëria nuk e zbulon atë që e kërkonim, dhe ajo është se si ka hyrë ai në shtetin e tyre. Gjithashtu nuk ka informata, as incizime për hotelin në Shqipëri ku ka qenë Gruevski”, deklaroi Ruskovska për “Fokus”.
Shqipëria paraprakisht ka refuzuar t’i dorëzojë edhe incizimet e vendkalimeve kufitare, me arsyetimin se janë fshirë.
Incizime nga vendkalimet kufitare ka dorëzuar edhe Mali i Zi, ndërsa janë rishikuar edhe incizime nga kamerat e vendkalimeve kufitare t Maqedonisë, si dhe nga kamerat nëpër Shkup.
Gruevski më 20 nëntor të vitit 2018 nëpërmjet një letre të gjatë shpjegoi se si ka arritur të fitojë azil nga autoritetet hungareze. Më 13 nëntor, Gruevski u paraqit në rrjetin social Fejsbuk se e ka lëshuar Maqedoninë për shkak të kërcënimeve dhe ka kërkuar azil politik në Hungari. Njoftimi i Gruevskit erdhi pasi që MPB-ja lëshoi fletë-arrest. Shkuarja e Gruevskit në Budapest ka ardhur pas njoftimit të Gjykatës në Maqedoni që i njëjti të paraqitet në Burgun e Shuto Orizares për ta vuajtur dënimin me burg prej dy vjetësh në rastin “Tank” të prokurorisë Speciale Publike për furnizimin e mercedesit e vlerë pre rreth 600.000 euro. Gruevski, edhe pse s’ka pasur pasaportë ai në Hungari ka arritur nga Shqipëria, ku me ndihmën e diplomatëve hungarez ka kaluar në Mal të Zi, Serbi dhe në fund në shtetin me të cilin udhëheq konservatori dhe miku i tij, Viktor Orban. Sipas hetimit të deritanishëm nga Prokuroria, Gruevski e ka lëshuar Maqedoninë në mënyrë ilegale.