Rustemi: Vazhdojmë investimet në infrastrukturën rrugore në rajonin e Pollogut

Drejtori i NP Rrugët Shtetërore Ejup Rustemi gjatë ditës së sotme ka njoftuar se në bazë të Programi vjetor për investime të kësaj ndërmarrje gjatë këtij viti janë duke u realizuar dhe do të realizohen disa projekte në infrastrukturën rrugore në rajonin e Pollogut. Drejtori Rustemi ka shkruar në rrjetet sociale se në Tetovë e rrethinë do të realizohen disa projekte si rikonstruimi i disa rrugëve regjionale, qarkorja e Tetovës, rehabilitimi i autostradës nga hyrja e Tetovës deri në hyrje të Komunës së Bërvenicës dhe anasjelltas…

Marketing

Postimi i plot i drejtorit Rustemi në rrjetet sociale:

“Vazhdojmë me realizimin e Programit vjetor për investime të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore për ndërtimin, rikonstruimin dhe rehabilitimin e rrugëve regjionale. Investimet tona i kemi të fokusuar në tërë territorin e vendit.

Edhe në Pollog janë të shumta projektet që janë duke u realizuar me qëllim të krijimit të një infrastrukture rrugore moderne dhe me standarde të larta.

Ditë më parë lëshuam në përdorim një pjesë të rrugës regjionale 12 03 në qytetin e Tetovës e cila u rikonstrua tërësisht. Për realizimin e këtij projekti janë ndarë 10 milion denarë.

Gjatë javës së bashku me Sekretarin Shtetëror në Ministrinë e Ambinetit Jetësor, Nebi Rexhepi dhe kryetarin e Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani, inspektuam zhvillimin e punimeve për rehabilitimin e rrugës rajonale R 12 06 që nga Komuna e Vrapçishtit në drejtim të Gostivarit. Projekti parasheh rehabilitimin e 2.5 km rrugë me vlerë prej 34 milion denarë.
Në Programin vjetor për investime është paraparë edhe ndërtimi i qarkores së Tetovës me çka vazhdojnë procedurat për zgjedhjen e kompanisë ndërtuese dhe mbikëqyrjes.

Së shpejti pritet të fillojë edhe rehabilitimi i autostradës nga hyrja e Tetovës deri në hyrje të Komunës së Bërvenicës dhe anasjelltas.

Gjatë muajit shtator do të fillojmë edhe me realizimin e një projekti tjetër në Komunën e Tetovës. Do të bëhet rikonstruimi i një pjesë të rrugës rajonale që shpie nga bulevardi Ilinden deri te fillimi i rrugës për në Kodrën e Diellit. Vlera e këtij projekti është 18 milion denarë.

Gjithashtu, dëshirojë të potencoj se njëkohësisht realizojmë projektin më të madh historik në infrastrukturën rrugore, ndërtojmë Korridorin 8 dhe 10. Me ndërtimin e këtyre autostradave Maqedonia e Veriut bëhet pjesë e korridoreve evropiane që do të lidh vendin tonë me vendet e rajonit dhe Evropës.
Ndërtojmë për gjeneratat e ardhshme!