Sa borxh i ka çdo qytetar Maqedonisë së Veriut?!

Borxhi publik i Maqedonisë së Veriut është 59 për qind e Bruto Prodhimit Vendor (BPV) ose 6.95 miliardë euro. Sipas përllogaritjeve kjo do të thotë se çdo qytetar i RMV-së ka 3.475 euro borxh. Derisa në strategjinë e re fiskale Qeveria ka paraparë marrje të huazimeve të reja dhe obligacioneve tjera.

Marketing

“Përcaktohet kufiri i totalit të borxhit publik në periudhën afatmesme dhe afatgjatë, i cili nuk duhet të kalojë nivelin 60 për qind të BPV-së”, theksohet në Strategjinë e re fiskale 2022-2024 ku dhe parashikohet reduktimi i borxhit publik.

Në strategjinë e reduktimit të borxhit publik, thuhet se lëvizja e borxhit publik në afat të mesëm do të rritet mesatarisht deri në vitin 2023 si pasojë e ndikimit të krizës.

Por në strategjinë e reduktimit të borxhit publik thuhet se në periudhën pas vitit 2024, përmes masave të konsolidimit fiskal, niveli i borxhit pritet të ulet. Sipas eksperteve, në periudhën e ardhshme vendi do të përballet me një krizë më të madhe ekonomike, ku përveç krizës shëndetësore të shkaktuar nga virusi korona e cila ka lënë pasoja ekonomike ky ritëm do të ndiqet edhe nga kriza energjetike.

Petar Goshev, ish-gurvenator ka deklaruar se kjo nuk është shuma e borxhit që duhet të ketë Maqedonia e Veriut pasi që kostot për të janë shumë të larta. Ai potencon se për atë borxh në vitin 2020 është paguar interes rreth 160 milionë euro, dhe se deri në fund të vitit interesat për borxhin publik pritet të arrijnë rreth 160 milionë euro.

“Ajo shumë borxhi nuk lë vend për asnjë ndërhyrje fiskale në kushtet e goditjeve të brendshme apo të jashtme. 10 deri në 15 pikë përqindje të rritjes së borxhit publik janë shfrytëzuar si përqindje e BPV-së dhe tani për ndërhyrje më serioze, Qeveria nuk do të ketë hapësirë për ndërhyrje më serioze për t’i anashkaluar goditjet”, tha Goshev.

Sipas tij, niveli i borxhit duhet të ulet sa më parë të jetë e mundur. Sipas përllogaritjeve të Qendrës për Analiza Ekonomike për stabilizimin e borxhit publik nga viti 2019, ritmet e vazhdueshme vjetore të rritjes së BPV-së prej katër për qind të borxhit publik do të arrinin një nivel të kujdesshëm prej 40 për qind të BPV-së deri në vitin 2030. Borxhi mund të reduktohet me ritme minimale prej tre për qind në rritje vjetore të BPV-së.

Ndërkohë nga ana tjetër, Qeveria beson se borxhi shtetëror do të jetë nën kontroll dhe në nivel të qëndrueshëm. Në strategjinë e re janë paraparë tre instrumente për ta reduktuar borxhin publik. E para është se në dy deri në katër vitet e ardhshme parashikohen lloje të reja huamarrjesh nëpërmjet bonove të zhvillimit. Këta do të indeksohen në normën e inflacionit, gjë që do të nxisë financimin e projekteve zhvillimore në vend.

Në instrumentin e dytë parashikohet të futet një instrument i ri i quajtur Bonot e Gjelbra, ku do të jepen për të mbështetur dhe nxitur projekte të cilat synojnë promovimin dhe mbrojtjen e mjedisit. Kjo do të ketë synimin kryesor kalimin në një ekonomi të gjelbër dhe financimin e projekteve mjedisore. Si dhe instrumenti i tret, parashikohet të jetë “Obligimet e projektit”, ku parashikohet të sigurohen investitor të ri të cilët do të investojnë në projekte zhvillimore. Sipas strategjisë, ky lloj obligacioni do të ofrojë një mënyrë alternative për financimin e projekteve të lidhura me infrastrukturën. (koha.mk)

Marketing