Që nga viti 1904, Federata Ndërkombëtare e Futbollit, FIFA ka organizuar dhe promovuar të gjitha turnetë e mëdha të futbollit, duke përfshirë Kupat e Botës. Është një organizatë jofitimprurëse, por që gjeneron të ardhura nga sponsorizimet. Në vitin 2017, të ardhurat e FIFA-s i tejkaluan 734 milionë dollarë. Por një rënie prej 189 milionë dollarësh, nuk duhet ta brengosë atë:kishte ende rezerva në para të thata, në mbi 930 milionë dollarë.
Me ë 211 federata anëtare dhe 3.5 miliardë tifozë në mbarë botën, përmasat e FIFA-s janë të pakrahasueshme. Dhe ky ndikim, dhe shuma të tilla të mëdha parash, e bëjnë shumë më të lehtë dominimin e lakmisë dhe të keqes. Në vitin 2014, në një artikull për “The New York Times”, Dejvid Zirin ngriti një listë akuzash kundër FIFA-s, duke argumentuar se lakmia, korrupsioni, mos-reagimi dhe keqpërdorimi janë endemike për udhëheqjen e organizatës, përfshirë edhe presidentin e atëhershëm Sep Blater.
Në fakt, akuzat për korrupsion nuk e dëmtuan trashëgiminë e Blater, i cili u zgjodh president i FIFA-s në vitin 1998, dhe u rizgjodh edhe 4 here të tjera. Për shembull, në majin e vitit 2006, gazetari investigativ britanik Endrju Xhenings, botoi librin e tij “Faull! Bota sekrete e FIFA-s”, në të cilën ai ngriti akuza për ryshfet dhe korrupsion, pas falimentimit të partneres së marketingut të FIFA-s, International Sports and Leisure (ISL)
Sipas Xhenings, gjatë dy dekadave para rënies së ISL, kompania e marketingut do t’i paguante regullisht ryshfete zyrtarëve të FIFA-s “në formë rrogash”. Gjithsesi kur ajo falimentoi, disa zyrtarë u urdhëruan të ripaguhen me më shumë se 1 millionë paund për të mbuluar skandalin.
Më 29 nëntor 2010, shtrirja e korrupsionit u duk shumë më e thellë. Endrju Xhenings dhe programi investigativ i BBC-së, Panorama, pretenduan se anëtarët e mirënjohur të komitetit drejtues të FIFA-s Nikolas Leoz, Isa Hajatu dhe Rikardo Teikseira, kishin pranuar ryshfete të mëdha nga ISL midis viteve 1989-1999.
Në fakt ato ishin vetëm 3 prej 175 ryshfeteve të paguara nga kompania e marketingut, një shumë që arriti në 100 milionë dollarë. Sep Blater, tha se FIFA nuk i kishte hetuar akuzat, për shkak se ankesat nuk kishin ardhur përmes kanaleve zyrtare. Isa Hajatu, President i Konfederatës së Futbollit Afrikan, dhe presidenti i FIFA-s në detyrë pas dorëheqjes së Blater, ishte përfshirë në një skandal tjetër në vitin 2011.
Një informator i FIFA-s, e njoftoi gazetën britanike “Sunday Times”, se Hajatu dhe anëtari tjetër i komitetit Zhak Anuma, u paguan 15 milionë dollarë për të votuar pro kandidaturës së Katarit për organizimin e Botërorit të vitit 2022. Xhenings, pretendoi gjithashtu manipulimin e votave dhe abuzime me detyrën nga FIFA, gjatë zgjedhjeve presidenciale të viteve 2002, 2007, 2011 dhe 2015, për të garantuar qëndrimin në detyrë të Blater.
Ish-kryetari i Federatës Angleze të Futbollit, Lordi Dejvid Treisman, e ka përshkruar sjelljen e FIFA-s me atë të një “familjeje mafioze”, duke vënë në dukje “traditën dhjetëravjeçare të ryshfeteve”. Sep Blater dhe zyrtarë të tjerë të FIFA-s, i hodhën poshtë të gjitha pretendimet e Endrju Xhenings.
Më 25 maj 2011, FIFA njoftoi se kishte nisur hetimet për 4 zyrtarë – Muhamed Bin Hamam, Debi Minguell, Xhejzën Silvester dhe Xhek Uorner, në lidhje me akuzat për marrje ryshfeti nga një drejtues i FIFA-s, Çak Blejzër. Në vitin 2015, Uorner përjashtohet përherë nga organizmi i futbollit, pasi komiteti i etikës zbuloi se ai kishte “sjellje të ndryshme të pahijshme…që përfshinte ofrimin dhe marrjen e pagesave të fshehta dhe të paligjshme”.
Edhe ata që informojnë për anëtarët e tjerë të FIFA-s, janë fajtorë për korrupsion. Në vitin 2013, Çak Blejzër – sekretari i përgjithshëm i federatës CONCACAF – pranoi marrjen e ryshfeteve gjatë Botërorëve të viteve 1998 dhe 2010, dhe ra dakord të shndërrohej në një informator të organizatës.
Nëse zyrtarët e FIFA-s janë kaq të pangopur sa të pranojnë ryshfete, kjo mund të mos duket si e keqja më e madhe. Megjithatë, korrupsioni mund të ketë efekte krejtësisht të dëmshme mbi botën. Për shembull, edhe para akuzave për korrupsion, Katari u duk si një zgjedhje e çuditshme për të organizuar Kupën e Botës 2022. Temperaturat atje arrijnë rregullisht 49 Gradë Celsius, duke imponuar zhvillimin e turneut gjatë dimrit.
Për më tepër, ndërtimi i stadiumeve të futbollit, është kryer duke shfrytëzuar nën kushte ç’njerëzore pune mijëra emigrantë. Vetëm në vitin 2013, autoritetet shëndetësore raportuan vdekjen e 520 emigrantëve në Katar, nga të cilët 385 në një mënyrë të pashpjegueshme.
Katari akuzohet edhe për korruptimin e zyrtarëve të shumtë të FIFA, për fitimin e të drejtave të organizimit të botërorit.
Gjithashtu, edhe organizimi i Botërorit 2018 në Rusi dhe Olimpiadës në Soçi në vitin 2014, ishin zgjedhje të dyshimta. Soçi është një destinacion i mirënjohur turistik, me temperaturat më të larta në Rusi, me kritikat për korrupsionin, duke përmendur miliarda dollarë që u zhdukën në buxhetin e shtetit.
Një nga kundërshtarët më të shquar ishte Boris Nemcov, një kritik i vjetër i Putinit, i cili ofroi prova për më shumë se 30 miliardë dollarë fonde të grabitura, duke i quajtur Lojërat Olimpike Dimërore një “mashtrim monstruoz”. Një vit më vonë, ai u vra shumë pranë Kremlinit.
Sikurse komentoi Frida Gitis e CNN-it, “ngjarjet sportive si Kupa e Botës në futboll dhe Olimpiadat, janë shndërruar trofe për tiranët. FIFA është një vend i përkryer për batakçinjtë. Nuk është çudi se përse diktatorët duan të bëjnë biznes me të”.
Pavarësisht nga korrupsioni i shfrenuar në FIFA, gjatë 5 viteve të fundit agjencitë qeveritare nga shumë vende kanë tentuar t’i japin fund kësaj situate. Në majin e vitit 2015, FBI-ja arrestoi 14- persona, duke përfshirë 9 zyrtarë të FIFA-s, me akuzat e mashtrimit, shantazhit dhe pastrimit të parave.
Dhe në shtatorin e vitit 2015, Prokuroria e Përgjithshme Zvicerane nisi një procedim penal ndaj Sep Blaterit për “keqadministrim kriminal…dhe shpërdorim detyre”. Blater u largua nga detyra 3 muaj para mbarimit të mandatit, duke shënuar fundin e njërës prej periudhave më të turpshme të historisë së sportit.
Megjithatë pavarësisht nga reputacioni i dëmtuar, FIFA kontrollon ende futbollin global, duke fituar 6 miliardë dollarë vetëm nga Kampionati Botëror i këtij viti. Me paratë vjen ndikimi, dhe me ndikimin vjen pushteti. Dhe kur kontrolloni një sport të dashur nga gjysma e popullsisë së botës, ndoshta korrupsioni është thjesht pjesë e lojës.
Burimi: AllTimeCons
Në shqip nga bota.al