Sa gjatë mund të rezistojë Ukraina?

Presidenti Volodymyr Zelenskyy ka thënë gjatë kësaj jave se Ukraina tani është duke humbur 60 deri në 100 ushtarë në ditë. Sa për krahasim, është pak më shumë se 50 ushtarë amerikanë që vdisnin në vitin 1968 në Luftën e Vietnamit.
Associated Press

Marketing

Sapo përfunduan varrimin e kolonelit veteran të vrarë nga bombardimet ruse, varrmihësit menjëherë nisën të hapnin varrin tjetër. Duke marrë parasysh për vdekjen që ka rënë mbi ushtrinë ukrainase në linjën e frontit, varri i zbraztë nuk do të qëndrojë ashtu për shumë kohë.

Koloneli Oleksandr Makhachek la prapa të venë, Elenën, dhe bijat Olenën dhe Myroslava-Oleksandra. Në 100 ditët e para të luftës, varri i tij ishte gropa e 40 në varrezat ushtarake në Zhytomyr, qytet 140 kilometra në perëndim të kryeqytetit Kiev.

U vra më 30 maj në rajonin e Luhanskut në lindje të Ukrainës. Në këtë pjesë janë zhvilluar luftime të ashpra. Skaj varrit të tij, është guri i varrit të Viacheslav Dvornitskiyt. Vdiq më 29 maj. Varret e tjera tregojnë se ushtarët janë vrarë pak ditë nga njëri-tjetri – më 10, 9, 7 dhe 5 maj. Kjo është një prej shumë varrezave ushtarake në qytetet e Ukrainës, në të cilat që prej shkurtit janë varrosur ushtarët.

Presidenti Volodymyr Zelenskyy ka thënë gjatë kësaj jave se Ukraina tani është duke humbur 60 deri në 100 ushtarë në ditë. Sa për krahasim, është pak më shumë se 50 ushtarë amerikanë që vdisnin në vitin 1968 në Luftën e Vietnamit.

Në mesin e shokëve të luftës që nderuan 49-vjeçarin Makhachek ishte edhe gjenerali Viktor Muzhenko. Ai paralajmëron se humbjet mund të jenë edhe më të mëdha.

“Ky është moment kritik në luftë, po nuk ka arritur pikun”, ka thënë Muzhenko. “Ky është konflikti më i madh në Evropë që prej Luftës së Dytë Botërore. Kjo tregon se përse humbjet janë kaq të mëdha. Me qëllim që t’i reduktojë humbjet, Ukrainës i duhen armë të fuqishme për t’u barazuar me armatimin rus. Kjo do të mundësonte që Ukraina të reagonte më mirë”, ka shtuar gjenerali ukrainas.

Bombardimet e shumta të artilerisë ruse kanë lënë shumë të vdekur në lindje. Moska është përqendruar në këtë pjesë qëkur dështoi ta pushtonte Kievin.

Gjeneral-llejtnanti i pensionuar, Ben Hodges, ish-komandant i përgjithshëm i forcave amerikane në Evropë, strategjinë ruse e ka cilësuar si “qasje mesjetare” dhe derisa Ukraina nuk merr armët e premtuara nga SHBA-ja, Britania dhe shtetet e tjera perëndimore, numri i të vdekurve do të vazhdojë të ngrihet.

“Kjo fushëbetejë është më vdekjeprurëse, sesa jemi mësuar në këta 20 vjetët në Irak dhe Afganistan, pasi atje nuk kishim kaq numra të vdekurish”, ka thënë Hodges.

“Në këtë numër të vrarësh do të përfshiheshin komandantët dhe rreshterët. Ata janë viktima, sepse janë më të ekspozuarit, lëvizin vazhdimisht duke u përpjekur të kryejnë punë”, ka thënë ish-gjenerali amerikan.

Makhachek, inxhinier ushtarak, i priu një grupi për minim dhe kapacitete të tjera të mbrojtjes, ka thënë koloneli Ruslan Shutov, i cili mori pjesë në funeralin e personit të cilin e kishte shok qe 30 vjet.

“Sapo nisën bombardimet, ai dhe grupi u fshehën në bunkerë. Aty ishin katër persona dhe u tha atyre të fshiheshin. Ai shkoi në një tjetër bunker. Fatkeqësisht, artileria goditi bunkerin ku fshihej ai”.

Ukraina kishte 250 mijë burra e gra në uniformë para se të niste lufta dhe ishte në proces që të angazhonte dhe 100 mijë të tjerë. Qeveria nuk ka treguar për numrin e saktë të ushtarëve të vdekur pas më shumë se 14 javësh luftime.

Askush nuk e di numrin e civilëve të vrarë apo sa ushtarë kanë vdekur nga dy taborët. Numrat nga zyrtarët qeveritarë – të cilët shpesh i ekzagjerojnë për arsye publike – janë pothuajse të pamundur të konfirmohen.

Analistët perëndimorë llogarisin për më shumë të vrarë në anën e ushtrisë ruse. Megjithatë, teksa vazhdojnë humbjet për Ukrainën, matematika e zezë e luftës kërkon që të vrarëve t’u gjenden zëvendësuesit. Me popullsi prej 43 milionë banorësh, Ukraina ka fuqi punëtore.

“Problemi janë rekrutimi, trajnimi dhe vendosja e tyre në vijën e frontit”, thotë koloneli i pensionuar amerikan, Mark Cancian, këshilltar i lartë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Washington.

“Nëse lufta bëhet krizë afatgjate, duhet të ndërtohen sisteme për të gjetur zëvendësime. Ky është momenti më i vështirë i çdo ushtrie në luftë”, thotë Cancian.

Muzhenko, gjenerali ukrainas, thotë se konfirmimi i numrit të madh të viktimave nga presidenti Zelenskyy do ta ngrinte edhe më shumë moralin ukrainas dhe do të nxiste shtetet perëndimore që të ndihmonin me armatim edhe më shumë.

“Sa më shumë ukrainas që mësojnë për atë që po ndodh në front, aq më shumë do të rritet vullneti i tyre për të rezistuar. Po, humbjet janë të mëdha, por me ndihmën e aleatëve mund t’i minimizojmë dhe t’i reduktojmë humbjet dhe të kalojmë në sulme të suksesshme. Për këtë duhen armë të fuqishme”.

Sapo Ndodhi:

Marketing