Sa kushton testi PCR që Kosova e kërkon në kufi nëse nuk keni 3 vaksina?

Qeveria e Kosovës më 22 janar ka miratuar masat e reja kundër përhapjes së Covid-19.

Marketing

Me këto masa, cilido person që hyn në Kosovë duhet të posedojë certifikatën e vaksinimit me tri doza, ose edhe me dy doza, por me një test PCR negative, jo më të vjetër se 48 orë, raporton Indeksonline.

Por sa kushton një test PCR?

Indeksonline merr vesh se, në Kosovë, çmimi për të bërë këtë test kushton rreth 35 euro, ndërsa në Shqipëri çmimi sillet nga 15 euro.

Testi i njëjtë në Maqedoninë e Veriut është nga 25-30 euro e në Serbi rreth 50 euro.

Vendosja e kësaj mase nga Qeveria e Kosovës po kundërshtohet fuqishëm nga të gjithë, madje ka ngjallur reagime të shumta edhe jashtë kufijve.

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi ka thënë se vendosja e kësaj mase e ka befasuar dhe se po e pengon qarkullimin e njerëzve dhe mallrave.

Edhe nga Lugina e Preshevës kanë reaguar. Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani dhe kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi i kanë shkruar Qeverisë së Kosovës për rishqyrtimin e masave, por që ende nuk kanë marrë sinjale.

Lidhur me këtë masë, sot është mbajtur protestë në pikën kufitare Morinë.

Kuksianët kanë thënë se lëvizjen e tyre drejt Prizrenit e kanë të përditshëm e me këtë masë janë shprehur të revoltuar./Indeksonline/

Marketing