Sadiki-Shahini: Nuk mund ta fshehni realitetin!

Zëvendësministrja e Sportit, Safije Sadiki Shahini, ka reaguar në lidhje me promovimin e sallës së sportit nga kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi. Zëvendësministrja Sadiki-Shahjni, ka shkruar se kryetari i Komunes së Likovës së fundmi promovoi fillimin e ndërtimit të sallës sportive në fshatin Ropalc.

Marketing

Siç ka shkruar ajo, ky projekt ishte premtuar qysh në vitin 2017, por kurrë nuk u realizua për sa kohë në nivel qendror qeveriste Bashkimi Demokratik për Integrim.

“Sot, kur ky projekt po bëhet realitet, përpiqen ta paraqesin si arritje të tyre, duke heshtur për faktin kyç: Ky projekt dhe shumë të tjerë po realizohen falë qeverisjes së koalicionit VLEN! Qytetarët meritojnë ta dijnë të vërtetën. Ata e dijnë se për vite me radhë, premtimet e tilla kanë mbetur në letër dhe kurrë nuk e panë dritën e realizimit. Fjalët boshe nuk mund të mbulojnë dështimet e së kaluarës. Mungesa e transparencës sjell politikan të papërgjegjshëm”, ka nënvizuar Sadiki-Shahini.

Ajo ka shtuar se ndërtimi i kësaj salle është vetëm një nga shumë projektet që po realizohen me qeverisjen e koalicionit VLEN, që vendos interesin e qytetarëve në plan të parë, e jo propagandën dhe përfitimet materiale nga çka rezultoi qeverisja e kaluar dydekadëshe.

“Sot Likova po sheh rezultate konkrete. Dhe për këtë meritën e kanë ata që punojnë, jo ata që vetëm premtojnë.Faktet janë shumë kokëforte!”, ka shtuar në fund zëvendësministrja.